Papa Françesku, argjentinasi që reformoi kishën, refuzoi luksin e burokracitë

Nga Rosalba Bejdo
21 Prill 2025, 11:22 | Bota

Papa Françesku, i pari udhëheqës Latino-amerikan i Kishës Katolike Romake u nda nga jeta në moshën 88 vjeçare. Lajmin e bëri të ditur Vatikani përmes një video deklarate mëngjesin e kësaj të hëne.

“Të dashur vëllezër dhe motra me hidhërim të thellë njoftojmë vdekjen e Atit tonë të Shenjtë, Francesku. Në orën 7 e 35 minuta të së hënës ai u rikthye në shtëpinë e Zotit”, tha kardinali Kevin Farrell në kanalin televiziv të Vatikanit, teksa theksoi se Francesku ja kishte kushtuar gjithë jetën e tij shërbimit të Zotit dhe Kishës.

88 vjeçari, i cili gjatë 12 viteve në krye të Selisë së Shenjtë ka vuajtur nga një sërë problemesh shëndetësore, së fundmi ushtrua në spital për shkak të një pneumonie të rëndë. Ai mbylli sytë në rezidencën e tij Casa Santa Maria, në Vatikan, një ditë pasi u shfaq para mbështetësve në Sheshin Shën Pjetër për të uruar Pashkët.

Jorge Mario Bergoglio u zgjodh papa në 13 mars të vitit 2013 duke befasuar shumë pjesëtarëve të botës Katolike, të cilët e kishin parë klerikun argjentinas të njohur për angazhimin e tij në mbështetje të të varfërve, si një të jashtëm. Ai u përpoq të projektonte thjeshtësi në rolin e tij të madh dhe refuzoi të jetonte në partamentet pompoze papnore të Pallatit Apostolik që përdoreshin nga paraardhësit e tij.

Trashëgoi një Kishë nën sulm lidhur me skandalin e abuzimeve seksuale, burokracive të Vatikanit dhe u zgjodh me mandatin e qartë për të rikthyer rendin. Por teksa Papati i tij avanconte u përball me kritika nga konservatorët të cilët e akuzuan për shkeljen e traditave të Kishës. Ai nxiti gjithashtu zemërimin e progresistëve të cilët ndjenin se duhej të ishte bërë më shumë për të riformësuar Kishën 2 mijë vjeçare.

Teksa përballej me pakënaqësi të brendshme, Francesku u bë një yll global duke grumbulluar turmë gjigante mbështetësish në shumë prej udhëtimeve të tij jashtë vendit, teksa pa u lodhur promovonte dialogun ndërfetar dhe paqen, duke mbajtur gjithmonë anën e komuniteteve më të margjinalizuara, të tillë si emigrantët. Në një ngjarje unike për kohërat modernet, pati dy njerëz me mantelin e bardhë në Vatikan për një pjesë të madhe të Papatit të Franceskut, teksa paraardhësi i tij Benedikti vijoi të jetonte në Selinë e Shenjtë pas dorëheqjes tronditëse në vitin 2013.

Benedikti, një hero i kauzës konservatore, vdiq në dhjetor të 2022 duke lënë më në fund Franceskun të vetëm në skenën Papnore. Francesku emëroi gati 80 përqind të kardinalëve që do të zgjedhin tani Papën e ri, çka rrit mundësinë që edhe pasuesi të vijojë me politikat progresiste. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos