Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Pete Hegseth ndau detaje të një sulmi ushtarak kundër grupit Houthi në Jemen në një bisedë të dytë në Signal që përfshin gruan dhe vëllain e tij, të ngjashme me ato të dërguara në një bisedë tjetër me zyrtarë të lartë të administratës Trump. Kështu shkruan New York Times, duke raportuar bisedën e dytë. Lajmi u konfirmua për Associated Press nga një burim i njohur me përmbajtjen dhe që mori mesazhet.
Burimi, i cili foli në kushte anonimiteti për të diskutuar çështje të ndjeshme, tha se biseda e paklasifikuar përfshinte 13 persona.
Shtëpia e Bardhë të dielën në mbrëmje e hodhi poshtë raportin si "jo lajm", duke këmbëngulur se nuk u nda asnjë informacion i klasifikuar. “Pavarësisht se sa herë mediat përpiqen të ringjallin të njëjtën histori të rreme, ato nuk mund të ndryshojnë faktin që nuk u shpërnda asnjë informacion i klasifikuar”, tha Anna Kelly, zëvendëssekretare e shtypit e Shtëpisë së Bardhë.
Ndërkohë, zbulimi i ekzistencës së një bisede shtesë në grup ka nxitur kritika të reja ndaj Hegseth dhe administratës së Presidentit Donald Trump në përgjithësi, e cila deri më tani nuk ka arritur të ndërmarrë veprime kundër zyrtarëve të lartë të sigurisë kombëtare që diskutuan planet për sulmin ushtarak përmes Signal.
"Detajet vazhdojnë të dalin. Ne vazhdojmë të mësojmë se si Pete Hegseth vuri jetën në rrezik. Por Trump është ende shumë i dobët për ta shkarkuar atë," shkroi lideri demokrat i Senatit Chuck Schumer në X. "Pete Hegseth duhet të shkarkohet".
Biseda e parë, e organizuar nga këshilltari i sigurisë kombëtare, Mike Waltz, përfshiu disa anëtarë të kabinetit dhe doli në dritë sepse Jeffrey Goldberg, redaktor i The Atlantic, ishte shtuar në grup. (A2 Televizion)