Papa Leone nis nga Turqia udhëtimin e parë jashtë vendit, ja datat

Nga A2 CNN
7 Tetor 2025, 13:38 | Bota

Papa Leone nis nga Turqia udhëtimin e parë jashtë vendit, ja

Papa Leone do të udhëtojë për në Turqi dhe Liban në fund të nëntorit, njoftoi sot Vatikani, në vizitën e parë jashtë Italisë që nga marrja e detyrës në krye të Vatikanit.

Papa i parë amerikan, do të vizitojë Turqinë nga 27 deri më 30 nëntor përpara se të shkojë në Liban nga 30 nëntori deri më 2 dhjetor, ku pritet të flasë për gjendjen e vështirë të të krishterëve në Lindjen e Mesme dhe të bëjë thirrje për paqe në të gjithë rajonin.

Papa pritet të takohet në Turqi me Patriarkun Bartolomeu, udhëheqësin shpirtëror të 260 milionë të krishterëve ortodoksë në botë, për festimet e 1700-vjetorit të një sinodi të madh të Kishës së hershme, i cili u zhvillua në Nikea dhe që tani quhet Iznik.

“Është thellësisht simbolike që Papa Leo... do ta vizitojë (patriarkun) në udhëtimin e tij të parë zyrtar”, tha një këshilltar i Bartolomeut.

Sinodi i Parë i Nikesë zë një vend të rëndësishëm në historinë e krishterë. Ai u mbajt në vitin 325 me ftesë të perandorit romak Konstandini I, me pjesëmarrjen e të gjithë peshkopëve të lidhur me kishën e krishterë. I konsideruar i rëndësishëm për historinë e krishterë, sinodi diskutoi dhe vendosi për çështje të rëndësishme fetare.

Leo u zgjodh nga kardinalët katolikë të botës më 8 maj për të zëvendësuar të ndjerin Papa Françesku, i cili kishte planifikuar të vizitonte të dy vendet, por nuk mundi të shkonte për shkak të problemeve shëndetësore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos