Udhëheqësit botërorë mblidhen në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme vjetore të Kombeve të Bashkuara, e cila këtë vit mban sesionin e saj të 80-të.
Liderë të shumtë do të paraqesin vizionin e tyre për botën dhe qëndrimet për disa prej çështjeve më të rëndësishme.
Kombet e Bashkuara u formuan në vitin 1945 me 51 anëtarë origjinalë dhe që atëherë janë rritur në 193 anëtarë. Mund të flasin edhe udhëheqësit e dy shteteve vëzhguese jo-anëtare - të njohura në OKB si Selia e Shenjtë dhe Shteti i Palestinës - dhe një anëtar vëzhgues, Bashkimi Europian.
Është traditë që Brazili të jetë gjithmonë shteti anëtar i parë që flet. Kjo ndodh sepse në vitet e para të organizmit botëror, Brazili doli të fliste i pari kur vendet e tjera ngurronin ta bënin këtë, thonë zyrtarët e OKB-së.
Si pritëse e selisë së OKB-së në Nju Jork, Shtetet e Bashkuara janë vendi i dytë që i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme. Nga aty, lista bazohet në hierarki dhe në përgjithësi në parimin “Kush vjen i pari, merr shërbimin i pari”. Krerët e shteteve flasin të parët, të ndjekur nga zëvendëskryetarët e shteteve dhe princat e kurorës, krerët e qeverive, ministrat dhe krerët e delegacioneve të rangut më të ulët. Udhëheqësve u kërkohet të përmbahen në një afat kohor vullnetar prej 15 minutash.
Sipas të dhënave të OKB-së, një nga fjalimet më të gjata të mbajtura gjatë hapjes së një Asambleje të Përgjithshme ishte në vitin 1960 nga udhëheqësi kubanez Fidel Castro, i cili foli për rreth 4 orë e gjysmë. Udhëheqësi libian Muamar Gadafi foli për më shumë se 1 orë e gjysmë në vitin 2009.
Çdo fillim i një sesioni të Asamblesë së Përgjithshme ka një temë. Udhëheqësit mund ta përmendin shkurtimisht temën përpara se të kalojnë në çfarëdo teme që u pëlqen.
Tema e këtij viti është: “Më mirë së bashku: 80 vjet e më shumë për paqen, zhvillimin dhe të drejtat e njeriut”. Por dominante do të jenë tema të tjera. Së pari do të shikohet mundësia e një zgjidhje paqësore me dy shtete për konfliktin në Gaza. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza, të cilat Izraeli i mohon, do t'i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të premten e javës së ardhshme.
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas nuk do të marrë pjesë personalisht, por me shumë gjasë përmes videolidhjes, pasi SHBA-të, një aleat i fortë i Izraelit, kanë thënë se nuk do t'i japin atij vizë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy do të kërkojë të sigurojë mbështetje globale për Kievin, ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump përpiqet të ndërmjetësojë përfundimin e luftës më shumë se tre vjet pasi Rusia e nisi atë. Ai do t'i drejtohet asamblesë të mërkurën, ndërsa Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov do të flasë të shtunën.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një takim të nivelit të lartë mbi Ukrainën javën e ardhshme. Të gjithë sytë do të jenë te SHBA-të, në këshill dhe gjatë fjalimit të Trump në Asamblenë e Përgjithshme, për të parë nëse Uashingtoni njofton ndonjë masë, të tilla si sanksione, në përpjekje për të bindur Presidentin rus Vladimir Putin të negociojë me Zelensky-n.
Klima, të drejtat e Grave, Irani, Siria dhe tensiones mes SHBA-ve dhe Venezuelës do të jenë tema që do të preken gjithashtu.
Vitin tjetër, Kombet e Bashkuara do të zgjedhin një sekretar të përgjithshëm të ri. Guterres do të përfundojë mandatin e tij të dytë pesëvjeçar më 31 dhjetor 2026. Ka të ngjarë të ketë biseda në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme javën e ardhshme rreth asaj se kush mund të jetë një kandidat për ta zëvendësuar atë.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së me 15 anëtarë duhet të bjerë dakord për një kandidat që do t’ia rekomandojë Asamblesë së Përgjithshme me 193 anëtarë për zgjedhje, që do të thotë se pesë fuqitë e vetos së këshillit, Britania, Kina, Franca, Rusia dhe SHBA-të, duhet të bien dakord. (A2 Televizion)