Franca njeh zyrtarisht shtetin palestinez, Macron në OKB: Nuk mund të presim më

Nga A2 CNN
22 Shtator 2025, 21:40 | Bota

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka konfirmuar para Kombeve të Bashkuara në Nju Jork se Franca njeh zyrtarisht shtetin palestinez, duke iu bashkuar valës së vendeve që kanë marrë këtë vendim javët e fundit.

Në fjalën e tij, Macron theksoi se koha ka ardhur për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të liruar 48 pengjet e mbetura në duart e Hamasit. “Bota është vetëm disa momente larg nga humbja e mundësisë për paqe. Nuk mund të presim më,” u shpreh ai.

Kreu i Elysee-s dënoi sulmet e 7 tetorit, por shtoi se “asgjë nuk justifikon luftën që vazhdon”, duke theksuar se e vetmja zgjidhje është krijimi i dy shteteve që bashkëjetojnë në paqe, shkruan A2 CNN.

Macron propozoi gjithashtu ngritjen e një administrate tranzitore në Gaza, të udhëhequr nga Autoriteti Palestinez, që do të ketë për detyrë çmontimin e Hamasit. Ai deklaroi se Franca është e gatshme të kontribuojë në një mision stabilizues, duke hapur mundësinë e një pranie ndërkombëtare sigurie në territor. Megjithatë, Macron sqaroi se ambasada franceze në shtetin palestinez do të hapet vetëm pasi të arrihet armëpushim dhe të lirohen të gjithë pengjet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos