“Paqja” e Trump në Gaza një spektakël turpi”, fjalimi i fundit i Macron në OKB: Zgjidhja me dy shtete

Nga A2 CNN
23 Shtator 2026, 07:44 | Bota

“Paqja” e Trump në Gaza një spektakël turpi”,

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, hodhi poshtë pretendimet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se ka siguruar paqen në Gaza, duke thënë se asnjë korridor humanitar nuk ishte rihapur në enklavë pavarësisht paqes së shpallur.

Në fjalimin e tij të fundit në Kombet e Bashkuara para se të largohet nga detyra vitin e ardhshëm, Macron përsëriti mbrojtjen e tij për zgjidhjen me dy shtete për palestinezët dhe izraelitët. Sipas tij  bota po dëshmonte një spektakël që duhet t’i turpërojë të gjithë, duke kritikuar portretizimin e planit të tij të paqes në Gaza nga Trump si një triumf diplomatik.

Ai foli në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara disa orë pasi Trump nga e njëjta foltore, kishte përshëndetur planin e tij të paqes në Gaza si një triumf diplomatik.

“Një vit më parë, këtu në këtë sallë, rreth një duzinë shtetesh e kishin njohur Palestinën. Dëgjoj cinizmin e disa njerëzve: ‘Njohja është vetëm një copë letër, shikoni realitetin’”, tha Macron, duke goditur grushtin në podium.

"Por çfarë besueshmërie kemi nëse vazhdojmë të qëndrojmë joaktivë përballë Gazës? Disa mburren me një paqe të supozuar. Por kjo paqe nuk e ka rihapur aksesin humanitar për asnjë sekondë. A duhet thjesht të qëndrojmë duarkryq dhe të shikojmë këtë spektakël që duhet të na turpërojë të gjithëve?", tha presidenti francez, duke theksuar se ndërtimi i një zgjidhjeje me dy shtete është parakusht për "sigurinë e sotme dhe të nesërme për Izraelin dhe popullin e tij".

Në përgjigje të kritikave të Macron, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha: “Presidenti Trump i dha fund luftës midis Izraelit dhe Hamasit, liroi të gjithë pengjet e gjalla, ua ktheu trupat e të ndjerëve të dashurve të tyre dhe tani po udhëheq zbatimin e Planit 20-Pikësh për Paqe në Gaza. Ndërsa të tjerët flasin, ky President e mori këtë problem kompleks drejtpërdrejt. Askush nuk ka bërë më shumë për paqen dhe stabilitetin në rajon.”

Macron është përballur me kritika nga disa politikanë dhe aktivistë në Francë se ka bërë pak që nga njohja e shtetit palestinez shtatorin e kaluar.

Pavarësisht kritikave, Parisi e ka ashpërsuar qëndrimin e tij ndaj dhunës së kolonëve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor, duke vendosur disa sanksione kombëtare dhe duke nisur një proces për të ndaluar produktet nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos