SHBA ndërton dy baza të reja ushtarake në Groenlandë, zbulohen detaje nga marrëveshja e Trump

Nga A2 CNN
22 Shtator 2026, 23:28 | Bota

SHBA ndërton dy baza të reja ushtarake në Groenlandë,

SHBA-të, Danimarka dhe Groenlanda nënshkruan sot një marrëveshje mbrojtjeje që i lejon Uashingtonit të ndërtojë dy baza të reja ushtarake në territorin arktik, ndërsa riafirmon sovranitetin e Kopenhagës mbi të.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York, Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se “do të nisim menjëherë procesin e krijimit të një pranie të madhe ushtarake në vendet e përshtatshme”.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, tha se marrëveshja ishte “e mirë për SHBA-të, Danimarkën dhe Groenlandën”, si dhe për Evropën dhe NATO-n. Ndërsa kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, e cilësoi atë si një marrëveshje ku “fitojnë të gjithë”.

Më pas, të tre liderët nënshkruan marrëveshjen, duke i dhënë fund, me sa duket, më shumë se një viti tensionesh lidhur me territorin arktik.

Trump kishte kërcënuar se do ta “merrte” territorin gjysmëautonom të Arktikut, duke përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare, pozicionin e tij strategjik për mbrojtjen dhe pasuritë minerare.

Retorika e tij shkaktoi reagime të forta nga groenlandezët, danezët dhe liderët evropianë, të cilët publikuan një deklaratë të përbashkët, ku thuhej se fjalët e tij “minojnë marrëdhëniet transatlantike dhe rrezikojnë një spirale të rrezikshme përkeqësimi”.

Marrëveshja e nënshkruar të martën ndryshon dhe rinovon një marrëveshje mbrojtjeje të vitit 1951 mes Danimarkës dhe SHBA-ve.

Në marrëveshjen e re thuhet se SHBA-së “do t’i lejohet të krijojë një zonë shtesë mbrojtjeje në Narsarsuaq dhe Mestersvig”, duke iu referuar dy vendndodhjeve në jug dhe lindje të Groenlandës.

Narsarsuaq ka dalje në ujëra të thella dhe një pistë të gjatë, të cilat, sipas mediave daneze, u inspektuan javën e kaluar nga inxhinierë ushtarakë amerikanë.

Posta ushtarake e Mestersvig ndodhet në një zonë të largët, është shumë më pak e zhvilluar dhe përdoret nga një njësi daneze e marinës.

Modalitetet dhe detajet teknike” të bazave ende nuk janë konfirmuar dhe, sipas marrëveshjes, duhet të miratohen bashkërisht nga të gjitha palët.

Aktualisht, Uashingtoni operon bazën e tij hapësinore Pituffik në veriperëndim të Groenlandës. Marrëveshja e re i lejon SHBA-së të “modernizojë dhe zgjerojë aktivitetet e saj” atje.

Ajo parashikon gjithashtu se “asnjë shtet që nuk është anëtar i NATO-s nuk do të lejohet të krijojë instalime të veta ushtarake, me personel ose pa personel, në Groenlandë, dhe as të ketë një prani të vazhdueshme të forcave ushtarake në territorin e saj”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos