
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përdori fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të paralajmëruar udhëheqësit botërorë. Nga Rusia në Iran dhe Kubë, presidenti amerikan sulmoi të gjithë kundërshtarët përveç Amerikës, për të cilën tha se tashmë është më e fortë se kurrë" dhe se "epoka e artë" është tani një realitet.
Në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, Trump tha se SHBA po punon me liderët e të dy vendeve dhe se synon një përfundim të konfliktit përmes një marrëveshjeje, ndërsa i bën thirrje Vladimir Putinit që t'i japë fund luftës në Ukrainë
"Putin, mbaron luftën!”, ishte mesazhi i tij drejtuar kreut të Kremlinit, përpara fjalimit të tij dhe takimit të planifikuar dypalësh me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Por pjesa më e fortë e fjalimit, për të cilën Trump ngriti tonet ishte ultimatumi që i dha Iranit.
"Duhet të vendos nëse do ta shkatërroj Iranin apo do të bëj një marrëveshje. Dhe nëse më duhet t'i shkatërroj, do ta bëj shpejt. Por jam i bindur se do ta bëjnë marrëveshjen pas zgjedhjeve", tha ai me zë të lartë, duke treguar edhe një herë tonet kërcënuese mbi diplomacinë.
Ai kërkoi gjithashtu që vendet e tjera të mbështesin izolimin ekonomik të Iranit derisa Teherani të ndalojë sulmet ndaj anijeve tregtare, të heqë dorë nga ambiciet bërthamore dhe të ndërpresë mbështetjen për grupet që SHBA i konsideron terroriste.
Përgjigja nga udhëheqja ushtarake e Teheranit ishte e menjëhershme: Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Iraniane dhe Shtabi Qendror Khatam al-Anbiya, njësia më e lartë komanduese operative e Republikës Islamike, paralajmëruan se vendi do të shkaktonte goditje "edhe më të rënda, shkatërruese dhe të paparashikueshme" ndaj sulmuesve.
Trump sulmoi edhe Kubën, duke e cilësuar regjimin komunist si një "një shtet i dështuar që do të rrëzohet". Gjatë këtyre deklaratave, delegacioni kuban u largua nga salla e Asamblesë së Përgjithshme.
"Kartelet e drogës janë si ISIS, dhe Meksika është epiqendra e dhunës së karteleve. Është e papranueshme që Shtetet e Bashkuara të ndajnë mijëra kilometra kufi me territorin e kontrolluar nga kartelet armike", theksoi ai, duke kërcënuar të përdorë "fuqinë ushtarake" amerikane për të mbrojtur interesat e SHBA-së në kontinent.
Më pas, Trump sulmoi ashpër Gjykatën Ndërkombëtare Penale, duke i kërkuar të gjithëve të distancohen prej saj.
Fjalimi 37-minutësh i presidenti Trump përfshiu gjithashtu çështje si inteligjenca artificiale, Venezuela, siguria ndërkombëtare dhe roli i SHBA-së në botë.
(A2 Televizion)