Arritja e një marrëveshje midis Ukrainës dhe SHBA-së, për një armëpushim 30 ditor në luftën me Rusinë, është vetëm njëra anë e medaljes. Shumë analistë perëndimorë besojnë se me këtë marrëveshje Ukraina vetëm sa është çliruar nga presioni amerikan. Edhe pse Trump nuk e fshehu entuziazmin për arritjen e këtij mirëkuptimi mes Ukrainës dhe SHBA, tashmë topi sipas Marco Rubios, është në derën e Vladimir Putin.
Moska nuk ka reaguar zyrtarisht, por një ligjvënës me ndikim rus, duke komentuar propozimin e armëpushimit tha se çdo marrëveshje do të ishte sipas kushteve të Moskës, jo të Uashingtonit.
“Rusia po përparon (në Ukrainë), dhe për këtë arsye do të jetë ndryshe me Rusinë”, tha Konstantin Kosachev, kryetar i komitetit të çështjeve ndërkombëtare të Këshillit të Federatës, dhoma e lartë e parlamentit rus, në një postim në Telegram. "Çdo marrëveshje - me gjithë kuptimin e nevojës për kompromis – bëhet sipas kushteve kushtet tona dhe jo të amerikanëve. Dhe kjo nuk është mburrje, por të kuptuarit se marrëveshje të vërteta po shkruhen ende atje, në front. Të cilat ata duhet ta kuptojnë edhe në Uashington", thekson Kosachev.
Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio e bëri të qartë se do të kishte pak mirëkuptim për një refuzim. “Nëse ata thoshin jo, për fat të keq do të dinim se kush është pengesa për paqen,” tha ai. Vladimir Putin duhet ta kuptojë këtë fjali si një kërcënim.
Bloomberg, duke cituar burime ekskluzive nga zyrtarë perëndimorë të sigurisë thotë se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka ndërmend të bëjë kompromis për kërkesat për tokë, paqeruajtësit dhe neutralitetin e Ukrainës në çdo bisedë paqeje, duke komplikuar përpjekjet e Presidentit Donald Trump për të siguruar një zgjidhje të besueshme.
Putin ka bërë qëllimisht kërkesa "maksimaliste" përpara negociatave për t'i dhënë fund luftës, të cilat ai e di se ka të ngjarë të jenë të papranueshme për ukrainasit dhe evropianët e tjerë, sipas zyrtarëve të sigurisë, citon Bloomberg. Udhëheqësi rus është i përgatitur të vazhdojë të luftojë nëse nuk i arrin qëllimet e tij, thanë zyrtarët.
Vlerësimi i qëllimit të Putinit hedh dyshime nëse ai është serioz në negocimin e një zgjidhje realiste dhe të qëndrueshme paqeje me Ukrainën. Kjo gjithashtu bie ndesh me pikëpamjet e Trumpit të përbashkëta në Shtëpinë e Bardhë të premten, kur ai u tha gazetarëve se besonte se Putini donte paqe.
Kërkesa thelbësore e Ukrainës për garanci sigurie nuk pasqyrohet në marrëveshje. Ekipi negociator i Kievit ishte në gjendje të nxirrte vetëm nga SHBA koncesionin që negociatat do të fillonin "sa më shpejt të jetë e mundur" për "garancitë e sigurisë afatgjatë të Ukrainës". Në të njëjtën fjali, megjithatë, Uashingtoni deklaroi gjithashtu se një marrëveshje e tillë do të trajtonte si "zhvillimin e mineraleve të Ukrainës" dhe "kompensimin e kostove të ndihmës amerikane". (A2 Televizion)