Udhëheqësit europianë dhe të Lindjes së Mesme kanë mirëpritur planin e paqes të Amerikës për Gazën.
Propozimi, i dakordësuar nga presidenti Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, parashikon një ndërprerje të menjëhershme të luftimeve, lirimin brenda 72 orëve të 20 pengjeve të gjalla izraelite të mbajtura nga Hamasi, si dhe dorëzimin e pengjeve që besohet të jenë të vdekur, në këmbim të qindra banorëve të Gazës të ndaluar.
Autoriteti Palestinez, i cili qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, i ka quajtur përpjekjet e presidentit amerikan “të sinqerta dhe të vendosura”. Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Katarit, Egjiptit, Jordanisë, Turqisë, Indonezisë dhe Pakistanit thanë se mirëpritën “udhëheqjen e Trump dhe përpjekjet e tij të sinqerta për t'i dhënë fund luftës në Gaza”.
Ata thanë se ishin të gatshëm të angazhoheshin me SHBA-në për të finalizuar dhe zbatuar marrëveshjen, e cila, sipas tyre, duhet të çojë në një “zgjidhje me dy shtete, sipas së cilës Gaza është plotësisht e integruar me Bregun Perëndimor në një shtet palestinez”.
Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, tha se ishte “i inkurajuar nga përgjigjja pozitive e Kryeministrit Netanyahu” ndaj propozimit. Ai shtoi se “të gjitha palët duhet ta shfrytëzojnë këtë moment për t’i dhënë paqes një shans të vërtetë”. (A2 Televizion)