Paraguaji në kaos, shkarkohet presidenti, zemërim popullor për skandalin financiar

Nga Rosalba Bejdo
8 Nëntor 2026, 09:34 | Bota

Paraguaji në kaos, shkarkohet presidenti, zemërim popullor për

Një krizë e paprecedentë financiare dhe politike ka përfshirë Paraguajin, ku presidenti Santiago Peña është shkarkuar nga detyra dhe është vendosur në arrest shtëpie, pas një skandali të rëndë që lidhet me kolapsin e bankës digjitale Ueno Bank.Vendimi u mor të premten nga Senati, ku 44 nga 45 senatorët votuan pro shkarkimit të presidentit, përfshirë edhe përfaqësues të partisë së tij. Pena akuzohet për konflikt interesi, ndikim mbi institucionet rregullatore, keqpërdorim fondesh dhe përpjekje për të fshehur përgjegjësitë institucionale në lidhje me falimentimin e bankës.

Kolapsi i Ueno Bank ka lënë rreth tre milionë qytetarë pa akses në kursimet dhe pensionet e tyre, duke shkaktuar zemërim të madh publik.

Në kryeqytetin Asuncion, mijëra qytetarë dolën në protesta, ndërsa radhë të gjata u krijuan përpara degëve të bankës nga njerëzit që kërkonin të tërhiqnin paratë e tyre. Protestat u shoqëruan edhe me përplasje me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmave.

Santiago Pena ka mohuar çdo shkelje, ndërsa mbrojtja e tij i ka cilësuar akuzat të papërgjegjshme dhe të motivuara politikisht.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti Pedro Alliana ka bërë betimin si president i përkohshëm, duke premtuar se qytetarët e prekur nga kriza do të kompensohen plotësisht. Ish-presidenti pritet të merret në pyetje për akuzat e shpërdorimit të besimit, ushtrimit të ndikimit dhe përvetësimit të fondeve.

Ngjarja konsiderohet një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit në historinë demokratike të Paraguajit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos