Trump riformaton Shtëpinë e Bardhë, Miller merr drejtimin e kabinetit, linjë më e ashpër në administratë

Nga Rosalba Bejdo
8 Nëntor 2026, 09:31 | Bota

Trump riformaton Shtëpinë e Bardhë, Miller merr drejtimin e

Pas disfatës së rëndë në zgjedhjet e mesmandatit, Donald Trump nis riformatimin e Shtëpisë së Bardhë. Stephen Miller, këshilltar besnik i presidentit, dhe një prej arkitektëve të politikave të brendshme më të ashpra, emërohet shef i kabinetit, një prej posteve më të rëndësishme në Uashington.

Miller, i cili zëvendëson Susie Wiles, merr postin teksa presidenti përgatitet të përballet me një kongres të kontrolluar nga demokratët, dhe një vale hetimesh në administratën e tij. Në një postim në rrjetet sociale, Trump e cilësoi Miller një prej bashkëpunëtorëve më të besuar dhe vlerësoi Wiles, siç tha për punën e jashtëzakonshme.

Emërimi i Millerit pritet të sjellë një qasje më të ashpër dhe konfrontuese në Shtëpinë e Bardhë, veçanërisht për çështjet e emigracionit dhe marrëdhëniet me demokratët. Ai ka qenë një nga figurat kryesore pas politikave të ashpra kundër emigracionit, të cilat kanë marrë kritika të shumta nga publiku amerikan.

Miller ka luajtur gjithashtu rol të rëndësishëm në shkurtimin e administratës federale dhe në përplasjet e qeverisë me universitetet dhe institucionet e tjera. Në politikën e jashtme, ai ka mbështetur sulmet ushtarake amerikane dhe izraelite ndaj Iranit, si dhe masat për të dobësuar ndikimin e Teheranit.

Ndërkohë, largimi i Susie wiles nga posti i shefes së kabinetit ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si do të funksionojë administrata e Trumpit në vijim. Wiles konsiderohej një figurë që sillte disiplinë dhe stabilitet në Shtëpinë e Bardhë, duke ndihmuar në menaxhimin e një administrate shpesh kaotike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos