
Protesta e mbrëmshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit, duke bërë që situata të përshkallëzohej gjatë orëve të mbrëmjes.
Përplasjet nisën pasi një pjesë e protestuesve hodhën gurë, fishekzjarrë dhe shashka në drejtim të efektivëve të policisë, të cilët ishin vendosur në kordon përgjatë bulevardit. Përballë kësaj situate, Policia e Shtetit ndërhyri me autobotë me ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Tre autobotë policie lëvizën në drejtim të protestuesve, duke i detyruar ata të largoheshin nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
Pas ndërhyrjes, turma u shpërnda në disa drejtime, ku një pjesë e protestuesve u zhvendosën pranë Gjykatës së Lartë, ndërsa të tjerë drejt sheshit “Skënderbej”.
Situata u shoqërua me tensione të vazhdueshme, ndërsa forcat e policisë u përpoqën të mbanin nën kontroll turmën. (A2 Televizion)