
Pas tre vitesh luftë civile, Sudani vijon të jetë i zhytur në një krizë të thellë humanitare, ndër më të rëndat në botë, pa një rrugë të qartë drejt paqes. Konflikti i nisur në prill 2023 mes ushtrisë sudaneze dhe forcave paraushtarake ka shkatërruar strukturat bazë të shtetit dhe jetën e miliona njerëzve.
Lufta shpërtheu si pasojë e përplasjes për pushtet mes gjeneralit Abdel Fattah al-Burhan, kreu i ushtrisë, dhe Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur si Hemedti, lider i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF). Dy figurat kishin bashkëpunuar më parë në një grusht shteti, por rivaliteti mes tyre u kthye në konflikt të hapur që përfshiu gjithë vendin.
Bilanci i luftës është dramatik. Dhjetëra mijëra persona kanë humbur jetën, ndërsa rreth 14 milionë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, duke e kthyer këtë në një nga krizat më të mëdha të zhvendosjes në botë. Shumë prej tyre kanë kaluar kufirin drejt vendeve fqinje si Çadi, Egjipti apo Sudani i Jugut, ndërsa të tjerë jetojnë në kushte ekstreme brenda vendit.
Situata humanitare është përkeqësuar ndjeshëm. Sistemi shëndetësor është në kolaps, ndërsa mungesa e ushqimit, ujit dhe kujdesit mjekësor ka sjellë rritje të urisë dhe përhapje të sëmundjeve. Organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë për një katastrofë të përmasave të mëdha, ku miliona njerëz mbijetojnë me minimumin jetik.
Në terren, luftimet vijojnë në disa rajone kyçe si Darfuri, Khartumi dhe Kordofani. Kontrolli territorial është i ndarë mes palëve, ndërsa përplasjet kanë qenë të ashpra dhe shpesh kanë përfshirë civilët. Sipas raportimeve, janë dokumentuar edhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë sulme ndaj civilëve dhe dhunë masive.
Përpjekjet ndërkombëtare për të ndërmjetësuar një armëpushim kanë dështuar vazhdimisht. Iniciativat diplomatike nga SHBA, vendet arabe dhe organizata rajonale nuk kanë arritur të sjellin një marrëveshje, ndërsa palët ndërluftuese nuk kanë treguar gatishmëri për të ndalur konfliktin.
Në këto kushte, sipas Al Jazeera, Sudani mbetet në një spirale dhune dhe pasigurie, ku mungesa e një zgjidhjeje politike po e thellon krizën dhe po e shtyn vendin drejt një kolapsi edhe më të madh, me pasoja që pritet të ndihen jo vetëm në rajon, por edhe globalisht. (A2 Televizion)