Pas bisedimeve me Putinin të dërguarit amerikanë mbërrijnë në Kiev, çfarë pritet

Nga A2 CNN
6 Shtator 2026, 15:07 | Bota

Pas bisedimeve me Putinin të dërguarit amerikanë

Dy të dërguarit amerikanë për paqen shpresojnë për “takime po aq produktive” në Ukrainë, pasi zhvilluan bisedime me Presidentin rus Vladimir Putin në Moskë për përfundimin e luftës, thanë zyrtarë amerikanë.

Steve Witkoff dhe Jared Kushner mbërritën në Kiev të dielën, pasi të shtunën zhvilluan bisedime me Putinin. Sipas Shtëpisë së Bardhë, ata “diskutuan plane konkrete për hapat e ardhshëm” me presidentin rus.

Nuk është ende e qartë se cilat janë konkretisht këto plane, por pritet një njoftim në javët e ardhshme, ndërsa përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë po intensifikohen.

Kjo është vizita e parë në kryeqytetin ukrainas e dy negociatorëve kryesorë të Presidentit amerikan Donald Trump. Putin dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kanë rënë dakord të ndalojnë sulmet ndaj kryeqyteteve të njëri-tjetrit për tre ditë.

Ndërsa Witkoff dhe Kushner po zhvillonin negociatat në Kremlin, Zelensky tha se ai dhe ekipi i tij ishin “gati për bisedën” dhe se ishin “të interesuar për ta afruar përfundimin e luftës”.

Në një postim në rrjetet sociale, ai tha se nevojiteshin paqja dhe garancitë e sigurisë, duke theksuar se ishte “e rëndësishme të punohet në mënyrë të koordinuar, konkrete dhe realiste”.

Gjatë natës, forcat ruse dhe ukrainase vijuan shkëmbimin e sulmeve. Ukraina konfirmoi se kishte goditur një rafineri nafte, një aeroport ushtarak dhe dy sisteme të mbrojtjes ajrore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos