
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi të dielën bisedime në Kiev me të dërguarit kryesorë të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, në vizitën e tyre të parë në Ukrainë që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë nga Rusia.
Takimi u zhvillua pasi Witkoff dhe Kushner u takuan të shtunën në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin, në kuadër të përpjekjeve amerikane për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.
Zelensky i priti të dërguarit amerikanë në Katedralen e Shën Sofisë në Kiev dhe, para takimit, deklaroi se Ukraina është e gatshme të diskutojë për mënyrat për t’i dhënë fund konfliktit. Megjithatë, ai theksoi se çdo marrëveshje duhet të shoqërohet me garanci të besueshme sigurie dhe me një paqe “dinjitoze” për Ukrainën.
“Ne jemi të interesuar ta afrojmë fundin e luftës. Nevojitet paqja. Nevojiten garanci sigurie”, deklaroi Zelensky, duke shtuar se propozimet e Ukrainës janë tashmë gati.
Bisedimet mes të dërguarve amerikanë dhe Putinit në Moskë zgjatën rreth tre orë. Kremlini i cilësoi ato si “konstruktive” dhe “jashtëzakonisht të sinqerta”, ndërsa këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, tha se diskutimet përfshinë jo vetëm luftën në Ukrainë, por edhe çështje ekonomike dhe projekte të mundshme ruso-amerikane. (A2 Televizion)