
Një shpërthim vullkanik ka pezulluar qindra fluturime në aeroportin kryesor ndërkombëtar të Indonezisë, duke lënë dhjetëra mijëra pasagjerë të bllokuar.
Autoritetet thanë se 209 fluturime u pezulluan pasi hiri nga mali Anak Krakatoa u zbulua në hapësirën ajrore pranë Aeroportit Ndërkombëtar Soekarno-Hatta të Xhakartës, të dielën në mëngjes.
Vullkani kishte nisur të shpërthente vonë të premten në mbrëmje, duke shkaktuar aktivitet të vazhdueshëm sizmik, burime llave dhe zhurma të fuqishme në zonat përreth. Autoritetet thanë se dy shpërthime të tjera ndodhën herët të dielën.
Më shumë se 22 mijë persona janë prekur nga pezullimi i fluturimeve, i cili është zgjatur deri në orën 13:30.
Ministria e Transportit tha se pezullimi i operacioneve preku kryesisht fluturimet drejt dhe nga Singapori, si dhe linja të tjera ndërkombëtare, përfshirë ato drejt Dohas, Sidneit dhe Kuala Lumpurit.
Autoritetet kanë konfirmuar se nuk ka asnjë paralajmërim për cunami të lidhur me aktivitetin e fundit të vullkanit, i cili ndodhet në ngushticën e Sundës, mes ishujve Java dhe Sumatra.
Ministri i Shëndetësisë u ka bërë thirrje banorëve në zonat e prekura të qëndrojnë brenda ambienteve të mbyllura dhe të mbajnë maska për fytyrën, për t’u mbrojtur nga rreziqet për rrugët e frymëmarrjes, sytë dhe lëkurën.
(A2 Televizion)