Goditet grupi i “spaçatorëve” në Sarandë, drogë në plazhe dhe lokale nate, 20 të arrestuar

Nga Igli Çelmeta
6 Shtator 2026, 14:04 | Kronikë

Policia e Sarandës ka goditur një grup trafikantësh që shpërndanin drogë në zonat turistike në plazhe, lokalet e natës dhe pranë shkollave. Operacioni, i koduar "Vjeshta" u finalizua pas 2-muajsh hetime të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë. Në pranga u vunë 20 persona, si pjesë e rrjetit të shpërndarjes së drogës.

Mes të arrestuarve është edhe Altin Arapi (Demiri), i njohur në Sarandë me nofkën "Boraqi". Arapi dyshohet se ishte në krye të rrjeti të drogës në qytetin bregdetar. Sipas Policisë, hetimet kanë dokumentuar dyshimet për një rrjet që merrej me shpërndarjen e drogës në zona të ndryshme të Sarandës. Kokaina dhe hashashi, sipas hetimeve, ndaheshin në doza të vogla për t’u shitur më pas në zona të ndryshme të qytetit.

Gjatë aksionit, autoritetet kanë sekuestruar dy pistoleta, sasi kokaine dhe kanabisi, katër automjete, 19 telefona celularë, si dhe një shumë parash në monedhën vendase dhe euro.

Në kuadër të këtij operacioni, Më 31 korrik, Policia kishte arrestuar tre persona të dyshuar dhe kishte sekuestruar rreth 5 kilogramë kanabis, që dyshohej se do të shpërndahej në Sarandë dhe Ksamil. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos