
Prezantuesja televizive egjiptiane, Sarah Khalifa, dhe 11 persona të tjerë janë dënuar me vdekje me varje, pasi janë shpallur fajtorë për akuzat e lidhura me drogën.
Sipas gazetës shtetërore Al-Ahram, ata ishin pjesë e një bande kriminale që importonte lëndë të para të përdorura për prodhimin e drogës, me qëllim shitjen e saj.
Ata kishin gjithashtu armë zjarri dhe municione të paligjshme.
Khalifa, 39 vjeçe, njihet më së shumti për programin e saj televiziv “Mission Impossible”, i cili trajtonte çështje kriminale. Ajo i ka mohuar akuzat.
Nëntë të pandehur të tjerë janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa shtatë janë shpallur të pafajshëm. Avokati i Khalifas tha se ajo do të apelonte dënimin me vdekje. Vendimi ishte shpallur fillimisht muajin e kaluar.
Megjithatë, ai u konfirmua vetëm një muaj më vonë, pasi gjykata mori një opinion fetar nga myftiu i madh i Egjiptit lidhur me dënimin me vdekje.
Gjatë gjyqit, gjykata dëgjoi se autoritetet kishin sekuestruar më shumë se 750 kg lëndë narkotike, si dhe lëndët e para të importuara për prodhimin e tyre. Sipas Al-Ahram, 20 dëshmitarë kishin dhënë deklarime para prokurorëve, krahas provave elektronike që përfshinin biseda dhe video.
Sipas gazetës shtetërore Akhbar al-Youm, kur u pyet nga gjyqtari për rolin e saj të pretenduar gjatë një seance gjyqësore në shtator të vitit të kaluar, Khalifa tha se nuk kishte parë kurrë drogë, deri kur u fotografua me to brenda ambienteve të autoritetit kundër narkotikëve.
Sipas një raporti të Amnesty International të vitit 2025, gjatë atij viti u dhanë 492 dënime me vdekje, 23 prej të cilave u ekzekutuan.
Të pandehurit u shpallën fajtorë për trafik droge dhe përdhunim, “krime që nuk përbënin ‘vrasje të qëllimshme’, ndaj së cilës përdorimi i dënimit me vdekje duhet të kufizohet sipas së drejtës dhe standardeve ndërkombëtare”, thuhet në raport.
(A2 Televizion)