Rusia përmend fillimin e luftës me NATO, amerikanët e paqes takojnë Zelenskin pas Putinit: Paqja në tryezë

Nga Xhevahir Qardaku
6 Shtator 2026, 14:15 | Bota

Pasi Putini ua bëri me gisht në Kremlin, arritën në zemër të Ukrainës. Emisarët e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, u pritën në Kiev nga lideri Volodymyr Zelensky për bisedimet mbi përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Kjo është vizita e parë e dy përfaqësuesve amerikanë në kryeqytetin ukrainas, pas vizitës në Moskë. Takimi me Putinin zgjati më shumë se tre orë, por përfundoi pa njoftimin e një marrëveshjeje apo përparimi konkret në negociatat e paqes.

Në Kiev, presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina është e gatshme për dialog dhe për një proces konstruktiv, konkret dhe realist. Zelensky ka theksuar se synimi është përshpejtimi i përfundimit të luftës, por njëkohësisht kërkohen garanci sigurie dhe një paqe dinjitoze për Ukrainën.

Vizita e emisarëve amerikanë vjen në një moment të rëndësishëm diplomatik, pas kontakteve të drejtpërdrejta me Moskën dhe përpjekjeve të administratës Trump për të afruar palët.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka ashpërsuar tonin ndaj Gjermanisë, duke i cilësuar akuzat për një dron rus në aeroportin e Leipzigut si “fillimin e një lufte të vërtetë”.

Kryediplomati rus ka kritikuar gjithashtu masat diplomatike të Berlinit ndaj Moskës, duke rritur tensionet mes Rusisë dhe Gjermanisë në një kohë kur përpjekjet për paqe në Ukrainë mbeten të pasigurta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos