Pas Zelandës së Re, Viti i Ri mbërrin dhe në Australi

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2025, 14:08 | Bota

Sidnei i Australisë e nisi vitin 2026 me një shfaqje fishekzjarrësh të mbajtur nën një prani të shtuar policore, disa javë pasi persona të armatosur vranë 15 persona në një aktivitet hebre në qytet. Festimet vjetore të Vitit të Ri në Sidnei njihen globalisht për fishekzjarrët e tyre spektakolare, me 40,000 efekte piroteknike që shtrihen shtatë km nëpër ndërtesa dhe barka përgjatë portit të tij, duke përfshirë Urën ikonike të Portit dhe Shtëpinë e Operas të qytetit.

Organizatorët mbajtën një minutë heshtje për viktimat e sulmit në orën 23:00 sipas kohës lokale me Urën e Portit të ndriçuar me të bardha dhe një menorah - një simbol i përdorur prej kohësh për të simbolizuar Judaizmin - të projektuar në shtyllat e saj.

"Pas një fundi tragjik të vitit për qytetin tonë, shpresojmë që nata e Vitit të Ri do të ofrojë një mundësi për t'u bashkuar dhe për të parë me shpresë një vit 2026 paqësor dhe të lumtur", tha Kryetarja e Bashkisë së Sidneit, Clover Moore, përpara aktivitetit. Festimet tradicionale të Krishtlindjeve në Bondi u anuluan këtë vit dhe disa aktivitete të Vitit të Ri të planifikuara atje u anuluan. Rreth 3,000 policë, disa prej të cilëve mbanin armë të gjata, u vendosën në qytet gjatë festimeve kryesore të Vitit të Ri, të cilat zakonisht tërheqin mbi një milion festues.

"Ne duhet të tregojmë sfidë përballë këtij krimi të tmerrshëm dhe të themi se nuk do të na trembë ky lloj terrorizmi dhe nuk do të ndryshojmë mënyrën se si jetojmë jetën tonë në qytetin tonë të bukur", tha të mërkurën Kryeministri i Uellsit të Ri Jugor, Chris Minns.

Banorët e Zelandezës së Re ishin ndër të parët në botë që festuan ardhjen e vitit 2026 me një shfaqje fishekzjarrësh në kryeqytetin Auckland. Shfaqja e fishekzjarrëve filloi me një numërim mbrapsht prej 10 sekondash të projektuar në bazën e “Kullës Sky” të Aucklandit, 328 metra të lartë, e ndjekur nga fishekzjarrë që ndriçuan qiellin e natës. Sipas organizatorëve, fishekzjarrët u nisën nga tre nivele në Kullën Sky, duke dërguar 3 mijë e 500 fishekzjarrë rreth kullës dhe duke u ngritur 80 metra mbi kullë. Shfaqja zgjati pesë minuta me më shumë se 500 kilogramë fishekzjarre të hedhura nga Kulla Sky dhe Ura e Portit të Aucklandit gjithashtu të ndriçuara.

Ishulli i vogël i Kiritimati, u bë vendi i parë në Tokë që priti Vitin e Ri 2026. Ishulli është pjesë e shtetit të Kiribatit, që ndodhet ne Oqeanin Paqësor. Mikroshteti përbëhet nga disa ishuj të vegjël që ndodhen në jug të Havait dhe në verilindje të Australisë.

Kiribati shpalli pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 1979. Sot shumë prej ishujve, që janë të pabanuar, janë në rrezik zhdukjeje, nga rritja e nivelit të detit.

Arkipelagu ka një popullsi prej rreth 116 mijë banorësh. Edhe pse ndodhet shumë pranë Havait, Kiribati e feston Vitin e Ri thuajse një ditë më përpara se shteti amerikan.

Po ashtu, rreth 600 banorë që jetojnë në ishullin Chatham të Zelandës së Re është bërë vendi i radhës që do të mirëpresë vitin 2026! Rreth një e gjashta e popullsisë së arkipelagut të largët, kryesisht vendas, po kalojnë momentet e fundit të vitit 2025 në barin e Hotel Chatham. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos