Një avion i kompanisë ajrore Ryanair, që ishte nisur nga Milano drejt aeroportit Stansted në Londër, është detyruar të devijojë dhe të bëjë një ndalesë emergjente në Paris, pas sjelljeve të pazakonta të dy pasagjerëve.
Sipas raportimeve nga mediat britanike, rreth 15 minuta pas ngritjes nga Milano, një nga pasagjerët në pjesën e përparme të avionit filloi të griste pasaportën e tij dhe ta hante me dhëmbë, duke shkaktuar panik te udhëtarët e tjerë.
Një tjetër pasagjer, në të njëjtën kohë, u fut në tualetin e avionit dhe u përpoq të hidhte në ujë pasaportën e tij.
“Papritur, atmosfera ndryshoi krejt. Askush nuk e kuptonte çfarë po ndodhte. Këta njerëz silleshin shumë çuditshëm”, tha një dëshmitar për Daily Star, duke shtuar se stafi i kabinës ndërhyri menjëherë për të qetësuar situatën.
Sipas të njëjtit dëshmitar, një stjuardesë trokiti në derën e tualetit për të ndaluar pasagjerin që të shkatërronte dokumentet, ndërsa u bë edhe një njoftim i shkurtër dhe i drejtpërdrejt për pasagjerët në bord.
Avioni u devijua për në aeroportin Charles de Gaulle në Paris, ku të dy pasagjerët u arrestuan nga policia franceze. Pas rreth dy orësh, avioni vazhdoi udhëtimin drejt Londrës.
Ngjarja është cilësuar si "shumë e frikshme" nga pasagjerët, ndërsa Ryanair nuk ka dhënë ende një koment zyrtar për incidentin. (A2 Televizion)