
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në ditën e pestë të protestave të dhunshme, duke theksuar se është përpjekur të mos përfshihet drejtpërdrejt dhe të shmangë atë që e cilëson si një kurth të dhunës që kërkon gjak.
Në reagimin e tij, Rama ka kujtuar edhe ngjarjet e 21 janarit 2011, duke bërë një krahasim me situatën aktuale dhe duke theksuar se, ndryshe nga ajo kohë, institucionet janë sulmuar dhe janë përdorur molotovë e mjete të forta kundër policisë.
Kreu i qeverisë i cilësoi kriminelë personat që qëllojnë me sende të forta drejt efektivëve të policisë, por shtoi se ata mbeten, sipas tij, “fëmijë të verbër të Shqipërisë”, jeta e të cilëve ka vlerë mbi gjithçka tjetër.
"Gjithsesi pak humor me një pikë ujë në oqeanin e çudirave që thuhen dhe që përhapen dhe vendosa të jem këtu sot, t’ju shoh në sy, t’më shikoni në sy dhe të përpiqem të them gjërat e mia, pasi për disa ditë, qyshse kjo flamë ka nisur, jam përpjekur të mos përfshihem dhe të ndjek e të koordinoj me shumë durim një përpjekje aspak të lehtë, për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës,që kërkon gjak. Kërkohet gjak", tha Rama.
"Dhe unë e di historinë e këtij bulevardi, e njoh mirë, i kam ende të freskëta në kujtesë ato që ndodhën në 21 janar, ku pati disa zjarre sporadike tek-tuk, në këtë perimetër, jo një kazan, jo një makinë, po ku nuk u prek me asgjë. Asnjë institucion, ku nuk u hodh asnjë molotov, ku nuk u dëmtua dhe nuk u dogj askush nga forcat e rendit dhe ku u vranë me plumba nga kjo godinë 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, të cilët nuk shkuan dot as në spital se edhe në spital i priste përsëri druri, dhe u mjekuan nëpër shtëpira. Përtej faktit që ata që qëllojnë me gurë e qëllojnë me zare hekuri e me vida, për t’i nxjerrë sytë policisë janë kriminelë, përsëri unë e kam mirë parasysh që ata janë fëmijë “të verbër’’ të Shqipërisë dhe jeta e tyre vlen më shumë se çdo gjë tjetër në fund të ditës. Kështu që, vetëpërmbajtja është A-ja dhe Zh-ja e kësaj historie, ndërkohë që patjetër që dëmet nuk janë më të vogla, por ndreqen edhe ndreqen shpejt përsa i përket dëmeve fizike", vijoi kreu i qeverisë.
(A2 Televizion)