SHBA largohet nga negociatat? BE fillon përgatitjen e planit "B" për Ukrainën

Nga Erjon Dervishi
1 Maj 2025, 15:32 | Bota

SHBA largohet nga negociatat? BE fillon përgatitjen e planit "B"

Bashkimi Europian po përgatit një “plan B” se si të mbajë në fuqi sanksionet ekonomike kundër Rusisë nëse administrata Trump braktis bisedimet e paqes në Ukrainë dhe kërkon afrim me Moskën. Kështu bëjnë me dije burime diplomatike për Financial Times.

“Është një problem nëse amerikanët do të duan të largohen”, tha për Financial Times Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë.

“Ne shohim shenja se ata po mendojnë nëse duhet të largohen nga Ukraina dhe të mos përpiqen të arrijnë një marrëveshje me rusët sepse është e vështirë”. Një zëdhënës i sekretarit të shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, tha të marten se: “Nëse nuk ka përparim, ne do të tërhiqemi si ndërmjetës në këtë proces”.

Zyrtarët evropianë janë gjithashtu të shqetësuar për pasojat e SHBA-së që potencialisht do t’i lejonte kompanitë e saj të rifillonin bashkëpunimin ekonomik me Rusinë, ndërkohë që bizneset e BE-së ende nuk e kanë të lejuar ta bëjnë këtë.

Kallas tha se ekzistonte një “plan B” për të ruajtur presionin ekonomik mbi Rusinë nëse Hungaria do të bllokonte zgjatjen e sanksioneve ekonomike të BE-së në korrik, por theksoi se Brukseli ishte ende i përqendruar në mbajtjen e të gjitha shteteve anëtare të pajtuara.

Por Kallas pranoi se ka diskutime në disa kryeqytete të BE-së nëse duhet ndjekur shembulli i administratës Trump nëse ajo braktis Ukrainën dhe rivendos marrëdhëniet me Rusinë.

“Është e qartë se këto lloj diskutimesh po zhvillohen në disa shtete anëtare dhe ndoshta shpresat janë se nuk do të na duhet ta mbështesim më [Ukrainën]”, tha Kallas. “Por është gjithashtu një shpresë e rreme, sepse nëse e shikoni Rusinë që po investon më shumë se 9 përqind të PBB-së së saj në ushtri, ata do të duan ta përdorin atë përsëri.”

Kallas tha se Evropa mund të ndërhyjë financiarisht për të ndihmuar Ukrainën në rast të një tërheqjeje të SHBA-së, por pranoi se “sa i përket mbështetjes ushtarake, sigurisht që është më e vështirë të mbushet boshllëku nëse amerikanët po largohen”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos