Përdoren në unazat e fejesës në të gjithë botën, sanksionet e BE në “shënjestër” diamantet e Rusisë

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2023, 17:06 | Bota

Diamantet mund të jenë për përgjithmonë, por jo kur vjen puna tek improtet e Rusisë në Bashkimin Europian.

Rusia është një nga prodhuesit më të mëdhenj të diamanteve të papërpunuar nga minierat poshtë permafrostit siberian, nga ku vjen një e treta e të gjithë furnizimit me diamante në botë.

Dhe, tashmë Komisioni Europian ka propozuar që të zgjasë te diamantet një seri sanksionesh të vendosura ndaj Rusisë, që nga nisja e pushtimit të Ukrainës.

Lëvzja e radhës është pjesë e paketës së 12-të të masave të marra nga BE kundër Moskës, e  cila pritet të hynë në fuqi në janar. Vendimi është i lidhur edhe me G7, i cili po ashtu po diskuton për vendosjen e embargos për diamantet rusë.

Që nga viti 2022, sanksionet e BE-së kanë goditur qymyrin, gazin, arin, vodkën dhe madje edhe havjarin rus. Por diamantet e nxjerra në veri-lindje të Rusisë përdoren ende në unazat e fejesës, gjerdanët dhe vathët në të gjithë botën.

Unioni e ka shmangur deri më tani vendosjen e embargos, kryesisht për shkak se Belgjika ka qenë e prirur të mbrojë qytetin e Antwerp: kryeqyteti i diamanteve në botë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos