Përplasja mes Izraelit dhe Hezbollahut, Gallant: Nëse realiteti na detyron do të luftojmë

Nga A2 CNN
3 Korrik 2024, 19:55 | Bota

Forcat izraelite janë në gatishmëri të lartë për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm kundër Hezbollahut të Libanit. Ky është kërcënimi që Ministri i Mbrojtjes së Izraelit ka bërë kundrejt organizatës militante të mbështetur nga Irani.

Sipas Gallant, preferenca e Izraelit është të ketë paqe, por nëse realiteti e dikton vendi i tij do të luftojë.

"Ne po godasim Hezbollahun shumë fort çdo ditë dhe gjithashtu do të arrijmë një gjendje gatishmërie të plotë për të ndërmarrë çdo veprim të kërkuar në Liban, ose për të arritur një marrëveshje nga një pozicion i forcës. Ne preferojmë një marrëveshje, por nëse realiteti na detyron ne do të luftojmë”, tha ministri izraelit.

Nga ana e tij, Hezbollahu ka njoftuar se ka lëshuar njëqind raketa kundër Izraelit në përgjigje të vrasjes së komandantit të lartë, Abu Ali Nasser, i cili u godit në një sulm me dron izraelit. 

Sakaq, kritika të forta kanë ardhur në adresë së administratës amerikane të Joe Biden. Një duzinë ish-zyrtarë të qeverisë amerikane që dhanë dorëheqjen për shkak të mbështetjes së SHBA për luftën e Izraelit në Rripin e Gazës akuzuan administratën e presidentit Joe Biden për "bashkëfajësi të pamohueshme" në vrasjen e palestinezëve në enklavë.

Në një deklaratë të përbashkët, 12 ish-zyrtarët e qeverisë thanë se administrata po shkelte ligjet e SHBA-së përmes mbështetjes së saj për Izraelin dhe gjetjes së boshllëqeve për të vazhduar dërgimin e armëve te aleati i saj.

Ka pasur kritika ndërkombëtare në rritje për qasjen ekstreme të Izraelit ndaj luftës Gaza dhe për mbështetjen ushtarake dhe diplomatike të SHBA për aleatin e tij në një luftë që deri më tani ka vrarë afro 38 mijë njerëz dhe ka krijuar një krizë humanitare.

Dorëheqjet e 12 zyrtarëve amerikanë pasqyrojnë disa mospajtime brenda qeverisë për mbështetjen e saj për Izraelin. Uashingtoni ka bërë presion për mbrojtjen e civilëve në Gaza dhe i ka bërë thirrje Izraelit të përmirësojë aksesin e ndihmës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos