Plani sekret i NATO-s, 35-50 brigada shtesë për t’i bërë ballë Rusisë

Nga Erjon Dervishi
8 Korrik 2024, 23:47 | Bota

Aleancës së Atlantikut të Veriut do t'i duhen nga 35 deri në 50 brigada shtesë për të realizuar plotësisht planet e saj të reja për t'u mbrojtur kundër një sulmi nga Rusia. Kështu thekson agjencia e lajmeve Reuters duke cituar një burim ushtarak.

Reuters thekson se akoma nuk ka shumë të dhëna apo detaje në lidhje me planet, të cilat janë sekrete. Një brigadë përbëhet nga 3 mijë deri në 7 mijë trupa, kështu që gjenerimi i 35 deri në 50 njësi të tjera të tilla do të përbënte një sfidë të rëndësishme. Në një tjetër shenjë të shkallës së sfidës së NATO-s teksa ajo rinovon qëndrimin e saj për të marrë më seriozisht kërcënimin e një sulmi rus pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, bën me dije se vetëm Gjermanisë do t'i duhet të katërfishojë kapacitetet e saj të mbrojtjes ajrore.

Ministria e Mbrojtjes në Berlin nuk pranoi të komentojë mbi planet e ardhshme të NATO-s pasi ato janë të klasifikuara. Ai tha se të gjithë aleatët u thirrën të koordinoheshin me NATO-n për kërkesat e aftësive dhe se këto përpjekje do të shtriheshin në vitin e ardhshëm.

Është e paqartë se ku mund ta gjejnë vendet e NATO-s personelin shtesë për 35 deri në 50 brigada. Trupat mund të zhvendosen nga pjesë të tjera të forcave të armatosura ose mund të rekrutohen ushtarë shtesë, mendojnë ekspertët.

Mbrojtja ajrore është një tjetër mungesë e madhe që planifikuesit ushtarakë të NATO-s kanë identifikuar, pasi lufta në Ukrainë ka treguar rëndësinë e këtyre sistemeve për të mbrojtur infrastrukturën kritike ushtarake dhe civile.

Pas Luftës së Ftohtë, shumë aleatë të NATO-s pakësuan numrin e njësive të mbrojtjes ajrore për të pasqyruar vlerësimin se në të ardhmen do të duhej të përballeshin vetëm me një kërcënim të kufizuar raketash, që vinte nga vende të tilla si Irani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos