Flamujt në të gjithë Kievin u ulën në gjysmështizë, ndërsa ukrainasit vajtuan më shumë se dy duzina njerëz të vrarë në sulmin më vdekjeprurës të Rusisë të mërkurën vonë. Rusia dërgoi 440 dronë dhe qëlloi 32 raketa gjatë sulmit të natës, tha Presidenti Volodymyr Zelensky, duke shembur pjesërisht një ndërtesë banimi, në goditjen e fundit ndaj një popullsie të lodhur nga lufta.
Kryebashkiaku i Kievit Vitali Klitschko tha se numri i të vdekurve kishte arritur në 28, por se një operacion kërkimi po vazhdonte. Dy persona u vranë gjithashtu në një sulm të veçantë në qytetin portual jugor të Odesës.
Banorët vizituan vendin e ndërtesës së apartamenteve pjesërisht të shkatërruar, ku punëtorët e shpëtimit gërmuan nëpër copa rrënojash mes zhurmës së makinerive të rënda. Ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se kishte përdorur raketa dhe dronë nga ajri, toka dhe deti për të goditur "objektet e kompleksit ushtarako-industrial të Ukrainës" në rajonin e Kievit dhe provincën jugore të Zaporizhzhya-s.
Ndërkohë, Presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar Kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz dhe furnizimit që Berlini ka bërë për Ukrainën. Presidenti tha se Rusia nuk e sheh Gjermaninë si neutrale dhe për këtë arsye jo si ndërmjetëse në konflikt. Putini e kërcënoi përsëri Gjermaninë nga Shën-Petersburgu me pasoja nëse qeveria gjermane do t'ia dorëzonte raketat Taurus Ukrainës.
“Është e pamundur të përdorësh raketat Taurus pa oficerët gjerman. Vetëm oficerët gjerman mund të aktivizojnë raketat Taurus. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se Bundesëari do të sulmojë në territorin e Rusisë me armë gjermane dhe çfarë quhet kjo nëse nuk është një përfshirje e Republikës Federale Gjermane në një konflikt direkt me Federatën Ruse”, tha Putin.
Në luftën e agresionit të Rusisë, politikanët gjermanë kanë mbajtur anën e Ukrainës; prandaj Moska e klasifikon Gjermaninë si një vend armik. Seanca tradicionale e pyetjeve dhe përgjigjeve të Putinit me gazetarët perëndimorë u zhvillua në ditën e parë të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut në konservatorin e rinovuar të metropolit. (A2 Televizion)