“Po na qëllojnë, mobilizohuni shpejt”, 14 plumba drejt makinës, atentat ish-Presidentit

Nga A2 CNN
27 Tetor 2024, 17:11 | Bota

“Po na qëllojnë, mobilizohuni shpejt”, 14 plumba drejt

14 herë është qëlluar në drejtim të automjetit të ish-Presidentit bolivian, Evo Morales, njëherësh edhe kreu i Lëvizjes Drejt Socializmit (MAS).

Ai po udhëtonte për të marrë pjesë në programin e tij radiofonik Kawsachun Coca, kur është qëlluar dhe e gjithë skena është filmuar nga një grua që ndodhej në makinën e Morales, e cila dëgjohet t’i thotë ish-Presidentit të përkulet dhe shoferit që të shtypë gazin.

“Shko Papaço, fluturo. Ata janë këtu... Shtrihu”, i thotë gruaja në video, Moralesit.

Në atë moment shihet edhe ish-Presidenti duke telefonuar një person tjetër dhe duke raportuar se ndaj tij po qëllohet me armë zjarri.

“Po na qëllojnë, mobilizohuni shpejt”, thotë Morales.

Rrugës Morales dhe personat që e shoqërojnë ndërrojnë automjet, megjithatë shoferi duket i gjakosur nga koka, në anë të rrugës. Ish-Presidenti shihet teksa flet me shokët e tij dhe u thotë se tashmë po mbërrijnë në Shinahota, Cochabamba.

Ish-presidenti vazhdon të flasë në telefon dhe tregon: “Papaçon e kanë qëlluar me plumb në kokë. Janë pesë të shtëna.” Po kështu, kur janë afër qytetarëve, Morales i afrohet një grupi njerëzish dhe i thotë se e kanë qëlluar.

Pasi automjeti me të cilin ai udhëtonte u qëllua 14 herë, Evo Morales tha se "tentativa e atentatit" ndaj tij është paguar nga Presidenti Luis Arce dhe zv/Presidenti David Choquehuanca.

Sipas Morales, dy automjete janë shfaqur në rrugë dhe kanë tentuar të kthejnë në qoshe mjetin ku ai ndodhej. Ai ka raportuar se fillimisht ka dëgjuar tre të shtëna armësh, para të cilave është strukur dhe i ka kërkuar shoferit, i cili ka mbetur i plagosur, t’i japë gaz mjetit dhe t’ia mbathin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos