
Një zbulim i rrallë ka habitur autoritetet dhe banorët në Belgjikë, pasi punëtorë që po rinovonin një shtëpi gjetën ar me vlerë rreth 9 milionë euro të fshehur brenda mureve të bodrumit.
Sipas mediave lokale, thesari u zbulua në fillim të kësaj jave, kur punëtorët po shponin themelet e ndërtesës për të vendosur tubacione të reja kanalizimesh, transmeton A2. Në mesin e pasurisë së gjetur kishte shufra ari dhe monedha.
Një prej punëtorëve, 18-vjeçari Kobe, i cili po punonte gjatë pushimeve verore, tregoi se fillimisht mendoi se kishte gjetur monedha të zakonshme. “Reagimi ynë i parë ishte habia. Në fillim mendova se ishin monedha 1-euroshe, por më pas pamë edhe një copë ari dhe kuptuam se bëhej fjalë për diçka shumë më të madhe”, tha ai për transmetuesin publik belg VRT.

Punëtorët njoftuan menjëherë policinë, ndërsa autoritetet e zhvendosën arin në një vend të sigurt. Policia paralajmëroi qytetarët të mos shkojnë në kantier për të kërkuar thesare të tjera.
Prona i përket aktualisht CAW Oost-Vlaanderen, një organizatë që ofron shërbime sociale në Dendermonde. Drejtori i saj, Geert Hillaert, tha se shpreson që pasuria, nëse nuk kërkohet nga pronari i ligjshëm, të mund të përdoret për të mbështetur aktivitetin e organizatës.
Sipas ligjit belg, pronari i vërtetë i arit ka pesë vjet kohë për të kërkuar pasurinë. Nëse askush nuk paraqitet dhe nuk rezulton se thesari lidhet me ndonjë veprimtari kriminale, ligji civil parashikon që ai të ndahet mes personit që e gjeti dhe pronarit të pronës.
Për momentin, si punëtorët ashtu edhe organizata që zotëron ndërtesën duhet të presin. Nëse askush nuk e kërkon thesarin brenda afatit ligjor, 9 milionë eurot e arit mund të përfundojnë duke ndryshuar jetën e atyre që e zbuluan. (A2 Televizion)