SHBA kërcënon rëndë Iranin: Izolim ekonomik që bota nuk e ka parë kurrë

Nga Rosalba Bejdo
14 Gusht 2026, 11:22 | Bota

Pasi presioni ushtarak dështoi të detyrojë Iranin të rihapë Ngushticën e Hormuzit, Shtetet e Bashkuara i rikthehen kartës së presionit ekonomik. Teksa bisedimet mes palëve kanë ngecur,  Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth paralajmëroi se ushtria amerikane ka kapacitetet për ta mbajtur bllokadën detare ndaj Iranit pa afat duke I shkaktuar dëme të rënda ekonomike. 

“Shtetet e Bashkuara mund ta mbajnë një bllokadë të tillë pa afat, sepse do të zëvendësojmë anijet luftarake që hyjnë dhe dalin nga rajoni, siç kemi bërë deri tani, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.

Kërcënimet u përforcuan nga Sekretari i thesarit Scott Bessent i cili tha se Shtetet e Bashkuara kishin planifikuar masa të reja që do t’i shkaktonin Iranit një izolim ekonomik që bota nuk e ka parë kurrë.

“Prisni njoftime të tjera javën e ardhshme, sepse ne do të vendosim masa të një niveli që nuk është parë kurrë më parë në historinë e izolimit ekonomik të një vendi”, tha Scott Bessent.

Ndërsa marrëveshja e përkohshme e qershorit dështoi, Teherani po përpiqet të rrisë presionin ndaj Uashtingtonit duke mbajtur kontrollin e plotë të ngushticës së Hormuzit, siç pretendon.

Trafiku në Ngushticën jetike të naftës është tejet I reduktuar, duke rritur presionin ndaj ekonomisë globale. Agjencia ndërkombëtare për energjinë bërthamore parashikon se furnizimet me naftë do të bien me 4.3 milion fuçi në ditë, këtë vit. Mbrëmjen e së enjten dy anije cisternë të Abu Dabit të cilat po transportonin naftë, u goditën nga ato që qeveria e Emirateve e cilësoi si sulm iranian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos