Europa është “kapluar” nga flakët. Ekipet zjarrfikëse po luftojnë zjarret e fryra nga erërat e fuqishme në qytetin Omish të Kroacisë, duke detyruar mbylljen e një autostrade kryesore, teksa qielli gjatë natës mori ngjyrë zjarri. Sipas raportimeve të mediave kroate, janë djegur disa ndërtesa, shtëpi dhe zona pyjore. Shumë banorë të zonës së prekur janë evakuuar.
Në Greqinë fqinje raportohet situatë e vështirë me një zjarr të egër që shpërtheu pranë Selanikut. 227 zjarrfikës po operojnë në zonë me 57 automjete, 13 njësi këmbësore, 6 aeroplanë dhe një helikopter për të shuar zjarret në Siviri të Kasandrës, shkruan A2 CNN. Sipërfaqja e djegur vlerësohet në 3500 hektarë, disa shtëpi dhe disa automjete janë dëmtuar. Turistët e alarmuar janë larguar nga resortet për shkak të frikës.
Spanja vazhdon që të jetë në emergjencë. Zjarrfikësit luftojnë vatrat e zjarreve, ndërsa deri më tani janë djegur mbi 8 mijë hektarë në verilindje të vendit. Në San Juan de la Peña, autoritetet transferuan eshtrat e tre mbretërve të parë të Aragonës nga një manastir vendas sepse ata ishin në rrezik nga flakët. Garda Civile e Spanjës tha të enjten se një person ishte arrestuar me dyshimin për fillimin e zjarrit në Huesca.
Në Francë janë evakuuar qindra persona pas shpërthimit të flakëve në një zonë pyjore në jug të vendit. Deri më tani janë shkrumbuar mbi 1100 hektarë në rajonin Landes, ku përfshihet dhe destinacioni turistik i Gjirit Arcachon, ku disa javë më parë u dogjën mbi 50 mijë hektarë dhe evakuuan 220 mijë persona.
Gjithashtu edhe në Gjermani ka pasur zjarre. Autoritetet angazhuan ekipe zjarrfikëse, helikopterë dhe avionë për të shuar flakët në Këln. Në Britaninë e Madhe vatrat e zjarreve kapluan banesa të shumta. (A2 Televizion)