SHBA futet në luftë kundër Iranit, sulmohen bazat bërthamore. Teherani kërcënon me pasoja të rënda

Nga Xhevahir Qardaku
22 Qershor 2025, 09:17 | Bota

Amerika futet në luftë kundër Iranit. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme ajrore të koordinuara ndaj tre impianteve kryesore bërthamore iraniane: Fordoë, Natanz dhe Isfahan. Presidenti Donald Trump e përshkroi operacionin si një “sukses spektakolar ushtarak”, duke deklaruar se objektivat ishin “plotësisht të shkatërruara”. Në një fjalim drejtuar kombit nga Shtëpia e Bardhë, Trump theksoi se qëllimi i sulmeve ishte eliminimi i kapaciteteve të pasurimit të uraniumit të Iranit dhe ndalimi i kërcënimit bërthamor që ai paraqet.

“Kjo nuk mund të vazhdojë. Ose do të ketë paqe, ose do të ketë tragjedi për Iranin shumë më të madhe se ajo që kemi parë gjatë tetë ditëve të fundit. Mos harroni, kanë mbetur shumë objektiva. Sonte ishte sulmi më i vështirë nga të gjithë, dhe ndoshta më vdekjeprurësi. Nëse paqja nuk vjen shpejt, ne do të godasim objektiva të tjera me saktësi, shpejtësi dhe aftësi. Shumica e tyre mund të eliminohen brenda pak minutash. Nuk ka ushtri në botë që mund ta kishte bërë atë që bëmë ne sonte. As që i afrohet”, tha Trump.

Presidenti amerikan kërkoi nga Irani dorëzim pa kushte. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, falenderoi Donald Trump për sulmet e forta, ndërsa theksoi se bombardimet do ta ndryshojnë historinë. Sulmi përfshiu përdorimin e bombarduesve B-2 të pajisur me bomba të tipit "bunker-buster" për të goditur impiantin e Fordoë, i cili është ndërtuar brenda një mali, thellë nën tokë. Ndërkohë, impiantet në Natanz dhe Isfahan u goditën me raketa Tomahaëk të lëshuara nga nëndetëse amerikane. Irani konfirmoi sulmet ndaj impianteve të tij bërthamore, por deklaroi se ato nuk do të ndalojnë përparimin e programit të tij bërthamor. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e quajti sulmin një "shkelje të rëndë të Kartës së Kombeve të Bashkuara" dhe paralajmëroi për "pasoja të përjetshme".

Kjo ndërhyrje e SHBA-së vjen pas një periudhe tensioni të lartë midis Izraelit dhe Iranit, ku Izraeli kishte ndërmarrë sulme të shumta ndaj objektivave iraniane. Presidenti Trump kishte paralajmëruar më parë për mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake nëse Irani nuk ndalonte programin e tij bërthamor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos