
Prapaskenat e marrëveshjes dyjavore të armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit tregojnë për një proces të mbushur me tension, presion dhe negociata të ethshme, ku vendimtare rezultoi ndërhyrja e udhëheqjes iraniane.
Sipas një raporti të medias amerikane Axios, udhëheqësi i ri i Teheranit, Mojtaba Khamenei, dha sinjalin vendimtar duke udhëzuar negociatorët të lëviznin drejt një marrëveshjeje, për herë të parë që nga nisja e konfliktit. Burimet theksojnë se pa “dritën jeshile” të tij, marrëveshja nuk do të ishte arritur.
Axios raporton se Mojtaba Khamenei, lideri i ri i Iranit, ka mbikëqyrur të gjitha fazat e marrëveshjes së armëpushimit me Shtetet e Bashkuara.
Sipas raportit, ministri i Jashtëm iranian Seyed Abbas Araghchi ka luajtur një rol të rëndësishëm në menaxhimin e negociatave dhe në bindjen e komandantëve të Gardës Revolucionare.
Artikulli thekson se presidenti amerikan Donald Trump ka qenë i pavendosur deri në minutat e fundit nëse do të pranonte propozimin me 10 pika të Iranit apo do të vijonte luftën, ndërkohë që publikisht kishte kërcënuar me shkatërrimin e Iranit.
Pas skenave, ndërkohë zhvilloheshin përpjekje intensive për arritjen e armëpushimit, ndërsa komandantët amerikanë në Lindjen e Mesme po përgatiteshin për goditje ndaj infrastrukturës iraniane.
Sipas Axios, i dërguari special i Trump, Steve Witkoff, e ka cilësuar propozimin iranian si një “katastrofë”, duke shprehur pakënaqësi gjatë komunikimeve telefonike.
Raporti nënvizon se ndërhyrja e Mojtaba Khameneit ka qenë sekrete dhe e ndërlikuar, për shkak edhe të kërcënimeve për atentat ndaj tij nga Izraeli. Vendimet kryesore janë marrë përmes komunikimeve indirekte dhe asnjë marrëveshje nuk do të arrihej pa miratimin e tij.
Pavarësisht kundërshtimeve nga disa këshilltarë dhe komandantë, Donald Trump pranoi armëpushimin dhe njoftoi ndërmjetësit, përfshirë kryeministrin e Pakistanit Shehbaz Sharif dhe shefin e ushtrisë Asim Munir.
Axios raporton se Mojtaba Khamenei ka drejtuar në mënyrë vendimtare negociatat për armëpushimin me SHBA, duke dhënë miratimin final për marrëveshjen.
Ministri i Jashtëm Seyed Abbas Araghchi ka ndihmuar në bindjen e strukturave ushtarake, ndërsa Donald Trump ka hezituar deri në fund përpara se ta pranonte armëpushimin, mes presioneve dhe përgatitjeve për përshkallëzim ushtarak. (A2 Televizion)