Miliona iranianë janë thirrur sot në votime për të zgjedhur presidentin e ri të vendit, pas vdekjes së Ebrahim Raisit nga përplasja me helikopter. Por këto zgjedhje po shënohen nga një abstenim masiv, si shenjë proteste e popullatës kundër politikave të deritanishme të liderëve.
Këto votime kanë disa risi, ku njëra prej tyre është që departamenti i teknologjisë ka kërkuar përdorimin e Inteligjencës Artificiale për të menaxhuar opinionin publik.
Risia tjetër vjen nga një kandidat që premton një qasje komplet ndryshe si brenda dhe jashtë vendit, gjë e cila ka vënë në vështirësi politikanët konservatorë.
Masud Pezeshkian, 69 vjeç, ka arritur që të tejkalojë sitën e komitetit të klerikëve. Ai është një reformist dhe ish-kirurg, i cili ka dënuar veprimet e policisë fetare duke i konsideruar masat për mbajtjen e shamisë si “imorale”.
“Nëse veshja e rrobave të caktuara është një mëkat, atëherë sjellja e ashpër ndaj vajzave dhe grave është mëkat 100-fish më i madh”, ka thënë ai. (A2 Televizion)