Presidenti i Këshillit Europian: Dënimi i pushtimit rus të Ukrainës dhe dialogu me Kosovën janë kyç për rrugën evropiane të Serbisë

Nga A2 CNN
13 Maj 2025, 15:28 | Bota

Presidenti i Këshillit Europian: Dënimi i pushtimit rus të

Dënimi i qartë i pushtimit rus të Ukrainës dhe dialogu me Kosovën janë kyç për integrimin e mëtejshëm të Serbisë në Bashkimin Evropian, tha presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, më 13 maj gjatë vizitës në Beograd.

"Topi tani është në pjesën tuaj të fushës dhe ju lutem mos humbim kohë, sepse e ardhmja nuk do të presë", tha Costa në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Costa shtoi se ai ka biseduar me Vuçiqin për reformat që Serbia duhet të ndërmarrë për të hapur kapitullin e ardhshëm në rrugën e integrimeve evropiane.

Gjatë më shumë se tre viteve të fundit, Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull në bisedimet me Bashkimin Evropian, të cilat i ka nisur që nga viti 2014.

Për sa i përket vizitës së Vuçiqit në Moskë për festën e Ditës së Fitores, pavarësisht mesazheve nga Brukseli që i kërkonin të mos shkonte, Costa tha se Vuçiqi ia shpjegoi atij se shkoi për të festuar një ngjarje historike.

"Por, në të tashmen, Serbia është plotësisht e angazhuar në procesin e anëtarësimit në BE dhe e di se për këtë duhet të kemi një harmonizim të plotë në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Nuk mund ta ndryshojmë historinë, e kuptoj plotësisht, që Serbia feston çlirimin, por nuk mund ta festojmë këtë pa dënuar invazionin aktual në një shtet tjetër", tha Costa.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se është i vetëdijshëm që shumë zyrtarë të BE-së nuk e mbështesin vizitën e tij të fundit në Moskë, por se shpreson që ata do të kenë mirëkuptim dhe se Beogradi do të mund të hapë një kapitull të ri në procesin integrues.

"E kuptoj plotësisht shqetësimet e tyre për shkak se nuk kemi vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, por Serbia ka qëndruar shumë parimore që nga fillimi i konfliktit. Ashtu siç mbështesim integritetin tonë territorial, ashtu mbështesim edhe integritetin territorial të vendeve të tjera, përfshirë Ukrainën", tha Vuçiç.

Ai shtoi se është i vetëdijshëm që atmosfera për hapjen e kapitujve të rinj të negociatave për anëtarësim në BE "nuk është aq e mirë" për shkak të vizitës së tij në Moskë, por se Serbia do të përpiqet të bëjë gjithçka që është marrë vesh më parë.

Ai theksoi se BE është "partneri më i rëndësishëm" për Serbinë, me të cilin ka shkëmbimin më të madh tregtar.

Costa ndodhet në Beograd si pjesë e një vizite disaditore në shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. Pas Beogradit, ai do të shkojë në Sarajevë, Podgoricë e Prishtinë, ndërsa më 15 maj do të vizitojë Shkupin dhe Tiranën, ku më 16 maj do të mbahet Samiti i Bashkësisë Politike Evropiane.

Costa tha para vizitës se nuk ka një datë të caktuar për pranimin e anëtarëve të rinj në Bashkimin Evropian, por vlerësoi se Shqipëria dhe Mali i Zi janë përpara vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos