Duke u ngjitur në skenën e një forumi politik në Nju Jork për një intervistë, presidenti sirian Ahmed al-Sharaa dhe ish-kreu i CIA-s David Petraeus, janë përballur me njëri-tjetrin, tashmë në role të ndryshme, pasi më parë gjenerali në pension e kishte arrestuar në Irak.
Al-Sharaa, i cili rrëzoi nga pushteti ish-presidentin Bashar al-Assad dhe i dha fund sundimit 50-vjeçar të familjes së tij në Siri në një ofensivë ushtarake në fund të vitit të kaluar, ka qenë president i vendit që nga janari.
Sakaq, Petraeus komandoi forcat amerikane gjatë pushtimit të Irakut, kohë kur e kapën dhe burgosën al-Sharaa. Lideri i ri i Sirisë qëndroi nga viti 2006 deri në vitin 2011 në burgjet e Irakut. Petraeus më vonë shërbeu si drejtor i Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës.
Pas lirimit të tij, al-Sharaa krijoi Frontin al-Nusra në Siri në vitin 2012 për të luftuar Assad-in. Katër vjet më vonë, ai i ndërpreu lidhjet me al-Kaedën. Një vit më vonë, al-Nusra u bashkua me grupe të tjera për të formuar Hayat Tahrir al-Sham (HTS), të udhëhequr nga al-Sharaa.
HTS u cilësua si “organizatë terroriste” nga SHBA-të në vitin 2018, duke përmendur lidhjet e kaluara me al-Kaedën, një përcaktim që SHBA-të e revokuan në korrik ndërsa Uashingtoni zbuti qasjen e tij ndaj Sirisë pas Asadit.
SHBA-të kishin vendosur një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kokën e al-Sharaa-s, të cilin e rrëzuan vetëm në fund të dhjetorit.
Al-Sharaa mbërriti në Nju Jork të dielën për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe u bë kreu i parë i shtetit sirian që e bën këtë në pothuajse gjashtë dekada. Presidenti dhe delegacioni i tij i madh zhvilluan takime, përfshirë edhe me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dhe udhëheqësi mbajti një fjalim në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të hënën.
Me Petraeusin, ai mori pjesë më pas në Samitin Vjetor të Concordia-s 2025, një forum për çështjet globale i mbajtur së bashku me Asamblenë e Përgjithshme që bashkon liderë botërorë, drejtues biznesi dhe figura të OJQ-ve për të nxitur partneritetet dhe dialogun publik-privat.
Ish-gjenerali amerikan jo vetëm që e pranoi rastësinë e çuditshme, por e përdori atë për të lavdëruar al-Sharaa-n. “Trajektorja e tij nga udhëheqës kryengritës në kreun e shtetit ka qenë një nga transformimet më dramatike politike në historinë e kohëve të fundit të Lindjes së Mesme”, i tha Petraeus audiencës.
Më vonë gjatë intervistës, ai shfaqi shqetësim për mirëqenien personale të udhëheqësit sirian, duke e pyetur nëse ai po fle mjaftueshëm. Petraeus tha se al-Sharaa ka "shumë fansa" dhe se ai është një prej tyre.
“Në një kohë, ne ishim në luftime dhe tani po kalojmë te diskutimi”, tha al-Sharaa me një buzëqeshje kur u pyet për historinë e tyre, duke shtuar se njerëzit që kanë kaluar nëpër luftë e dinë rëndësinë e paqes.
"Nuk mund ta gjykojmë të kaluarën bazuar në rregullat e sotme dhe nuk mund ta gjykojmë të sotmen bazuar në rregullat e së kaluarës", tha presidenti sirian.
Duke folur për kohën e tij si komandant i al-Kaedës, al-Sharaa tha se ndoshta ka pasur gabime më parë, por ajo që ka rëndësi tani është mbrojtja e popullit sirian dhe e rajonit nga paqëndrueshmëria.
“Angazhimi ynë ndaj asaj linje është ajo që na solli sot këtu në Nju Jork, të ulur këtu midis aleatëve dhe miqve”, deklaroi ai. (A2 Televizion)