Presidenti Zelensky: Nëse Putini nuk vjen në Ankara, negociatat janë të pakuptimta

Nga A2 CNN
14 Maj 2025, 21:13 | Bota

Presidenti Zelensky: Nëse Putini nuk vjen në Ankara, negociatat

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha në një mesazh të mërkurën në mbrëmje se diskutoi me ekipin e tij formatin e bisedimeve të ardhshme në Turqi, duke pritur të shohë se kush do ta përfaqësojë Rusinë përpara se të vendosë për hapin e radhës të Ukrainës.

"Po pres të shoh se kush do të vijë nga Rusia dhe pastaj do të vendos se çfarë hapash duhet të ndërmarrë Ukraina", theksoi presidenti ukrainas, duke shprehur dyshime në lidhje me gatishmërinë e Moskës për të kontribuar në deeskalimin, shkruajnë mediat e huaja.

Në të njëjtën kohë, Zelensky iu referua gjithashtu informacionit se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump po shqyrton pjesëmarrjen në bisedimet në Ankara, duke vënë në dukje se ky mund të jetë faktori më i fortë i ndikimit në proces. "Kjo javë mund të ndryshojë shumë. Gjithçka po gjykohet në këtë moment”, tha ai duke lënë të hapura të gjitha mundësitë për rezultatin e takimit.

Zelensky nuk harroi të falënderonte udhëheqësit dhe vendet që vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi Rusinë për të ndaluar sulmet dhe për të hapur rrugën për negociata kuptimplota, shkruan A2 CNN.

"Rusia po e zgjat luftën dhe humbjet. Falënderoj çdo vend dhe udhëheqës që po i bën presion Moskës për të ndaluar bombardimet, në mënyrë që të mund të ketë bisedime kuptimplota në një nivel ku mund të merren vendime të vërteta", theksoi ai, duke nënvizuar rëndësinë e presionit ndërkombëtar për të arritur një paqe të qëndrueshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos