Presioni i Trump funksionoi, Klitschko: Ukraina do heqë dorë nga territori për paqen

Nga Erjon Dervishi
25 Prill 2025, 13:42 | Bota

Ukraina duhet të heqë dorë nga disa territore të saj. Këtë fakt e ka bërë të ditur Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, në një prononcim për median britanike BBC. Ky reagim vjen edhe si pasojë e presionit të Donald Trump për Volodymyr Zelensky. 

“Një nga skenarët është heqja dorë nga territori. Nuk është e drejtë. Por, për paqen apo paqen e përkohshme, ndoshta mund të jetë një zgjidhje e përkohshme”, tha ai, shkruan A2.

Por, 53-vjeçari ish-kampion i boksit, i kthyer në politikan, theksoi se populli ukrainas "nuk do ta pranonte kurrë pushtimin" nga Rusia. Duke folur për programin Today të BBC Radio 4 nga zyra e tij në qendër të Kievit, Klitschko vuri në dukje se ai ishte "përgjegjës për kryeqytetin e Ukrainës", duke e përshkruar atë si "zemrën" e vendit të shkatërruar nga lufta.

Ai tha se Presidenti Volodymyr Zelensky mund të detyrohet të marrë një "zgjidhje të dhimbshme" për të arritur paqen. Kur u pyet nëse Zelensky ka diskutuar me të ndonjë detaj për një zgjidhje të mundshme, Klitschko u përgjigj: "Jo. Presidenti Zelensky e bën vetë. Nuk është funksioni im”.

Sakaq, SHBA do të kërkojë që Rusia të pranojë të drejtën e Ukrainës për të zhvilluar ushtrinë e saj, të pajisur në mënyrë adekuate, industrinë e saj të mbrojtjes, si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, citon Bloomberg, duke kundërshtuar në këtë mënyrë këmbënguljen e Rusisë që vendi të çmilitarizohet kryesisht si kusht për t'i dhënë fund luftës. I dërguari amerikan Steve Witkoff do të udhëtojë në Rusi për të ngritur çështjen me Presidentin Vladimir Putin, për të diskutuar negociatat private.

Qëndrim më të zbutur ka mbajtur pala ruse pas reagimit të fundit të Donald Trump ndaj Putin. Në një intervistë për median amerikane CBS, Ministri i Jashtëm Rus, Sergey Lavrov tha se një marrëveshje në luftën në Ukrainë është me sa duket e afërt. “Ne jemi pikërisht me këtë proces,” tha Lavrov, duke shtuar se "disa elementë specifikë duhet ende të përpunohen" për të arritur një marrëveshje. Ka "disa shenja se ne po ecim në drejtimin e duhur", tha kryediplomati rus. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos