Shtetet e Bashkuara dhe Irani mund të arrijnë një marrëveshje nëse Uashingtoni e ndan çështjen bërthamore nga ato jo bërthamore. Kështu tha një zyrtar i lartë iranian për agjencinë e lajmeve Reuters, pas raundit të ri të bisedimeve në Gjenevë. Ai shtoi se mes palëve mbeten ende ndasi të thella.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Arakçi, dhe të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, zhvilluan bisedime indirekte të ndërmjetësuara nga Omani këtë të enjte. Bisedimet u vlerësuan si kritike, teksa Trump ka kërcënuar me ndërhyrje ushtarake nëse nuk arrihet një ujdi.
Teherani tha se propozime të rëndësishme dhe praktike ishin paraqitur gjatë negociatave lidhur me programin bërthamor të Iranit dhe heqjen e sanksioneve. Megjithatë, është e paqartë nëse është shënuar progres i mjaftueshëm për të parandaluar luftën, shkruan A2 CNN.
Ministri i Jashtëm i Omanit, Said Badr Albusaidi, tha se palët kanë shkëmbyer ato që i quajti ide pozitive dhe kreative dhe se shpresonte për përparim.
Uashingtoni, që beson se Irani po përpiqet të ndërtojë një bombë bërthamore, kërkon që vendi të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit, por gjithashtu është përpjekur të zgjerojë bisedimet edhe në çështje të tjera, përfshirë arsenalin balistik dhe mbështetjen që Irani u ofron grupeve të armatosura në rajon.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha të mërkurën se refuzimi i Iranit për të diskutuar programin balistik ishte një problem i madh dhe se raketat përbëjnë një kërcënim për Amerikën dhe stabilitetin rajonal. (A2 Televizion)