Donald Trump u ndërpre nga një protestues gjatë një tubimi elektoral në Misisipi, i cili e sulmoi verbalisht presidentin amerikan për projektin e ndërtimit të një salle të madhe ballosh në Shtëpinë e Bardhë.

Ngjarja ndodhi të hënën në mbrëmje, në Crossroads Arena, në qytetin e Korinthit, ku Trump po vijonte fushatën në kuadër të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, shkruan A2 CNN. Pamjet nga aktiviteti tregojnë momentin kur një person nga turma iu drejtua presidentit me një fyerje të rëndë, duke i thënë: “Fute atë sallë ballosh në b**** tënde të shëndoshë”.

Ndërhyrja e bëri Trumpin të ndalonte për pak çaste fjalimin. Më pas, presidenti reagoi duke i thënë protestuesit: “Oh, shko në shtëpi. Shko në shtëpi”.
Trump buzëqeshi dhe qeshi pas incidentit, ndërsa një pjesë e të pranishmëve shpërtheu në reagime dhe nisi të brohoriste “SHBA, SHBA, SHBA”.
Presidenti pretendoi se personat që ndërpresin tubimet e tij janë protestues të paguar. “Ai paguhet. E dini, janë protestues të paguar. Paguhen 250 dollarë, mendohet nga Sorosi”, deklaroi Trump.
Protestuesi iu referua sallës së madhe të ballove që Trump po ndërton në Shtëpinë e Bardhë, pas shembjes së ish-krahut lindor të kompleksit presidencial.

Trump e ka mbrojtur projektin, duke argumentuar se ambienti i ri do të ofrojë hapësira më të sigurta për organizimin e aktiviteteve të mëdha zyrtare dhe do të kursejë para për taksapaguesit amerikanë.
Megjithatë, projekti është përballur me kritika, ndërsa lufta me Iranin dhe rritja e kostos së jetesës kanë shtuar debatet mbi prioritetet e administratës amerikane.
Pakënaqësitë mund të ndikojnë edhe në klimën politike përpara zgjedhjeve të mesmandatit, në të cilat republikanët rrezikojnë të humbasin mbështetje në Kongres. (A2 Televizion)