Njeriu që po udhëheq luftën ruse në Ukrainë, u nderua nga Presidenti Vladimir Putin me “Urdhërin e guximit”.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rusisë, gjenerali Valery Gerasimov, mori dekoratën prestigjioze shtetërore, për kurajon, guximin dhe dedikimin e shfaqur në përmbushjen e detyrave ushtarake, siç u bë e ditur në një dekret të publikuar nga Kremlini, shkruan A2.
Gerasimov është një prej njerëzve më të pushtetshëm në Rusi, ndaj të cilit Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar një urdhërarrest për krime lufte në Ukrainë. I pagëzuar shpesh si arkitekti i strategjisë moderne të luftës në Moskë, gjenerali që festoi 70 vjetorin të hënën, besohet të jetë mbajtës i një prej valixheve me kodet bërthamore, që mund të transmetojnë urdhërat për një sulm nuklear.
Ai ka luajtur role kyçe në pushtimin e Krimesë në vitin 2014 dhe gjithashtu në mbështetjen ushtarake për Bashar Al Asadin në luftën civile të Sirisë. Shtete e Bashkuara e kanë sanksionuar një ditë pas nisjes së luftës në Rusi, më 24 shtator të 2022-shit, duke e cilësuar atë si mes përgjegjësve direkt.
Putin caktoi Gerasimovin për të udhëhequr fushatën ushtarake në Ukrainë në janar të 2023-shit. Së bashku me atëherë ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, një tjetër aleat i ngushtë i Putinit, u kritikua nga blogerët me ndikim të luftës ruse për dështimet në vitin e parë të operacionit ushtarak, kur Moska vuajti një seri disfatash turpëruese. (A2 Televizion)