Lufta vazhdon dhe bashkë me të… edhe vdekjet. Të paktën 10 persona janë vrarë në Kharkiv të Ukrainës për shkak të një sulmi raketor nga ushtria e Rusisë. 8 civilë të tjerë kanë mbetur të plagosur, ndërsa janë dëmtuar me dhjetra banesa apo dyqane. 2 viktima të tjera janë shënuar në Zaporizhia.
Përveç raketave, ushtria ruse lëshoi në mbarë Ukrainën të paktën 147 dronë, ku 111 prej tyre janë neutralizuar, siç njofton mbrojtja ajrore.
Lloji i tyre ishte kryesisht shahed, prodhim Iranian. Sipas mediave të Kievit, në 24 orët e fundit ushtria e Putinit ka kryer më shumë se 1158 sulme vetëm në Zaporizhia. Ukraina nuk ka qëndruar duarkryq, por sipas raportimeve, ka lëshuar rreth 620 dronë në drejtim të rajonit të Moskës.
180 prej tyre janë shkatërruar, njoftoi kryebashkiaku i kryeqytetit të Rusisë, duke shtuar se shërbimet e emergjencës po punojnë në vendet ku kanë rënë mbetjet. Pretendohet se janë plagosur të paktën 3 persona, mes tyre dhe një fëmijë 10-vjeçar. Ndërkohë, konflikti rrezikon që të tejkalojë kufijtë e dy shteteve të përfshira.
Rusia e ka paralajmëruar Britaninë se do të “paguajë” për dronët e prodhuar në Angli, të dërguar Ukrainës dhe të përdorur në sulme të thella në territorin rus, sipas raportimeve të shtypit. Në një deklaratë, Ambasada Ruse në Londër akuzoi vendin se është bërë “bashkëpunëtor dhe bashkë-autor” i sulmeve dhe se “ka zgjedhur qëllimisht përshkallëzimin” e konfliktit.
"Sa më e thellë të jetë përfshirja e saj në konflikt dhe sa më e madhe të jetë mbështetja e saj për makinerinë terroriste të Kievit, aq më i lartë do të jetë çmimi që do të paguajë", thuhet në deklaratë. (A2 Televizion)