Vetëm 12 ditë ka zgjatur arratia e një prej autorëve të dyshuar të grabitjes së argjendarisë në Kamëz. Gjurmët e lëna pas, sendet e përdorura gjatë grabitjes dhe kamerat e sigurisë i çuan hetuesit te 35-vjeçari nga Laçi.
Hetimet nisën menjëherë pas grabitjes së 5 gushtit. Autorët morën një sasi bizhuterish dhe u larguan me një motomjet, duke nisur edhe kërkimet për identifikimin e tyre.
Një nga gjurmët e para u gjet gjatë kërkimeve në terren. Në zonën e Qinamit, policia sekuestroi një motomjet që dyshohet se ishte përdorur nga autorët për t’u larguar pas grabitjes.
Hetimet i çuan më pas forcat e policisë në një zonë të pyllëzuar të fshatit Zgafnur. Aty u gjetën një armë automatike, një krehër me fishekë, një skafandër motoçiklete e lyer në gri, dy maska silikoni, doreza dhe veshje të tjera.
Provat e mbledhura në terren, të kombinuara me analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë, orientuan hetuesit drejt identifikimit të njërit prej të dyshuarve: Argys Kalsi, 35 vjeç, banues në Laç.
Pas identifikimit të tij, policia nisi kërkimet për kapjen e 35-vjeçarit. Sipas burimeve, mbrëmjen e 17 gushtit ai po tentonte të largohej nga Shqipëria përmes pikës kufitare të Qafë-Thanës, ku u lokalizua dhe u ndalua.
Por operacioni nuk është mbyllur. Policia thotë se vijojnë kërkimet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit tjetër të dyshuar për grabitjen, për të cilin deri tani nuk janë bërë publike të dhëna mbi identitetin. (A2 Televizion)