
Rusia në përgjithësi pajtohet që lista e pikave të planit të SHBA-së mbi Ukrainën mund të formojë bazën për marrëveshjet e ardhshme. Kështu u tha sot mediave nga Kirgistani, Presidenti rus Vladimir Putin.
"Ne duhet ta diskutojmë seriozisht dhe fjalë për fjalë planin e paqes për Ukrainën. Njohja e sovranitetit rus mbi Krimenë dhe Donbasin duhet të jetë një nga pikat kryesore në negociatat me Shtetet e Bashkuara", tha Putin, duke përsëritur skepticizmin e tij në lidhje me qeverinë ukrainase.
"Rusia dëshiron të arrijë një marrëveshje me Ukrainën, por kjo është aktualisht ligjërisht e pamundur", tha presidenti rus, duke shtuar se vendi i tij ndryshe nga Ukraina mbajti zgjedhje në kohë lufte.
Presidenti rus tha se Rusia është gati të negociojë me Evropën për garanci sigurie dhe e bëri të qartë se Moska nuk ka ndërmend të sulmokë Kontinentin e Vjetër. “Ne kurrë nuk kemi dashur të sulmojmë Evropën”, tha Putin duke shtuar se Rusia nuk kërkoi kurrë të bashkohej ose të kthehej në G7.
Ne ishim të ftuar", tha ai, ndërsa sqaroi se pret negociatorët amerikanë në Moskë javën e ardhshme.
Në fakt, në këtë kontekst, duke iu referuar Steve Witkoff, ai tha se "mbron qëndrimet e presidentit të tij (Trump)", ndërsa diskutimet me të po zhvillohen me tone të qeta, "pa fyerje dhe ekstremitete". Më pas ai konfirmoi se Abu Dhabi është zgjedhur si vend takimi dhe negociatash midis përfaqësuesve rusë dhe ukrainas, duke shtuar se prania e një përfaqësuesi nga Uashingtoni "erdhi si një surprizë".
Presidenti rus foli gjithashtu për zhvillimet në terren në Ukrainë, duke vënë në dukje se ukrainasit humbën 47,000 ushtarë vetëm në tetor dhe se ka "nivele të larta dezertimi" në ushtrinë ukrainase. Në këtë kontekst, ai sqaroi se përplasjet do të përfundojnë kur ukrainasit të tërhiqen nga pozicionet e tyre.
“Nëse trupat ukrainase tërhiqen nga territoret që aktualisht i kanë pushtuar, atëherë do t’i ndërpresim armiqësitë? Nëse nuk tërhiqen, do ta arrijmë këtë me mjete ushtarake”, deklaroi shefi i Kremlinit.
Kur u pyet për Sergei Lavrov dhe skenarët që supozojnë se ia ka hequr atij fuqinë e diplomacisë ruse nga duart, për shkak të zhvillimit negativ të takimit të planifikuar me Trump në Budapest, Putin i mohoi kategorikisht ato dhe i përshkroi si "marrëzi" , duke thënë se Ministri i Jashtëm rus po përgatitet të takohet me negociatorët amerikanë.
Në një koment që bëri për asetet ruse që janë "të ngrira" në Evropë, ai tha se sekuestrimi i tyre është "vjedhje" dhe shtoi se Moska po përgatit përgjigjen e saj.
Presidenti rus foli gjithashtu për rrjedhjet e bisedave midis këshilltarit të tij, Yuri Ushakov, dhe Steve Witkof, duke thënë se ato mund të jenë "lajme të rreme" ose janë përgjuar. Në fakt, ai tha se ka një marrëdhënie shumëvjeçare me negociatorin amerikan, duke shtuar se "do të ishte e çuditshme nëse ai do të na mallkonte me shprehje vulgare në bisedat e tij me Ushakovin".
Përveç kësaj, ai u pyet në lidhje me testet bërthamore, duke hedhur topin në fushën e Uashingtonit dhe duke shtuar se Moska do të ishte e gatshme t'i kryente ato nëse do të ishte e nevojshme.
"Përgatitja për teste të vërteta të armëve bërthamore kërkon kohë dhe sigurisht që nuk mund të gjendemi në një situatë ku kjo do të jetë bërë në SHBA, ndërsa do të na duhet ende një vit e gjysmë për t'u përgatitur. Prandaj, duhet të mendojmë tashmë për këtë. Ne nuk e filluam këtë, por duhet të jemi gati për çdo zhvillim të ngjarjeve. Dhe, ju siguroj, do të jemi gati."
(A2 Televizion)
