
Presidenti Vladimir Putin tha të enjten se Rusia është e gatshme të angazhohet në diskutime rreth sigurisë europiane. Presidenti rus deklaroi se Moska nuk ka plane të sulmojë vendet europiane, duke shtuar se nëse Europa dëshiron një garanci që nuk do të sulmohet, atëherë Rusia është e gatshme të japë një garanci të tillë.
“Çdo gjë duhet formuluar në gjuhë diplomatike. Sepse një gjë është të thuash se Rusia nuk planifikon të sulmojë Europën. Për ne kjo tingëllon qesharake, apo jo? Ne kurrë nuk e kemi planifikuar një gjë të tillë. Por nëse ata duan ta dëgjojnë këtë prej nesh, mund ta hedhim në letër. Nuk ka problem”, tha Putin, përcjell A2 CNN.
“Nëse ata (politikanët europianë) i kanë frikësuar qytetarët e tyre deri në atë pikë saqë qytetarët duan të dëgjojnë se ne nuk kemi plane agresive ndaj Europës, atëherë s’ka problem, ne jemi të gatshëm ta hedhim në letër”.
Putin tha se Shtetet e Bashkuara po marrin në konsideratë pozicionin e Rusisë, por disa çështje ende kanë nevojë për diskutim. (A2 Televizion)
