Putini me goditje finale? Kreu i CIA-s amerikane i kërkoi Rusisë të mos sulmojë NATO-n

Nga Xhevahir Qardaku
27 Gusht 2026, 13:55 | Bota

Drejtori i CIA-s amerikane shkoi urgjentisht në Moskë për t’i kërkuar Rusisë të mos sulmojë vendet e NATO-s. Kjo raportohet nga Wall Street Journal dhe CBS News, që citojnë burime që kanë dijeni për këtë zhvillim.

Vizita, e cila nuk ishte njoftuar zyrtarisht, thuhet se lidhet me vlerësimet e inteligjencës amerikane se Moska mund të përpiqet të vërë në provë stabilitetin e Aleancës me veprime të kufizuara ushtarake në vitet e ardhshme.

Kremlini konfirmoi se Ratcliffe kishte pasur “kontakte” me shërbimet ruse të sigurisë, por përjashtoi një takim me presidentin Vladimir Putin, i cili do të informohej për progresin e bisedimeve më vonë.

Lidhur me këto raportime reagoi menjëherë Kremlini, me zëdhënësin Dmitry Peskov, i cili theksoi se lajmi i publikuar në media nuk përkon me realitetin dhe se Rusia nuk synon të sulmojë vendet e NATO-s.

Megjithatë, një qëndrim krejtësisht ndryshe vjen nga Ministria e Jashtme në Moskë. Rusia mund të sulmojë çdo strukturë ushtarake britanike, “brenda ose jashtë Ukrainës”, në hakmarrje për sulmet ukrainase në territorin rus duke përdorur armë të furnizuara nga Londra, tha zëdhënësja Maria Zakharova, e cila citohet nga mediat.

Më herët, shefi i Inteligjencës së Jashtme Ruse, Sergei Naryshkin, konfirmoi se pati një takim me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë të martën, duke thënë se ishte një “takim normal pune” pa “asgjë të pazakontë”.

Interfax citoi Naryshkin të thoshte: “Diskutuam një numër çështjesh që bien në kompetencën e shërbimeve të inteligjencës dhe, siç e dini mirë, kompetenca e shërbimeve të inteligjencës është një çështje mjaft e ndjeshme dhe specifike”.

Megjithatë, ish-i dërguari special i presidentit amerikan për Ukrainën, Keith Kellogg, lëshoi alarmin duke paralajmëruar se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka ndërmend t’i japë fund luftës.

“Sapo t’i vijë mundësia, do të kërkojë të pushtojë territore të tjera”, u shpreh ish-zyrtari i Donald Trump.

Këtë qëndrim e mbështesin edhe zyrtarët e inteligjencës në Ukrainë. Sipas Kievit, Rusia përgatit mobilizimin shtesë të 600 mijë trupave deri në vitin 2027. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos