Polonia kërkon 250 milionë euro gjobë për Meta-n: Dështoi të luftojë mashtrimet në Facebook dhe Instagram

Nga A2 CNN
27 Gusht 2026, 14:46 | Bota

Polonia kërkon 250 milionë euro gjobë për Meta-n:

Polonia i ka kërkuar Komisionit Evropian vendosjen e një gjobe prej 250 milionë eurosh ndaj kompanisë Meta, duke e akuzuar për reagim të pamjaftueshëm ndaj mashtrimeve, reklamave të rreme dhe përmbajtjeve të tjera të dëmshme në platformat e saj.

Ministri polak i Çështjeve Dixhitale, Krzysztof Gawkowski, deklaroi në rrjetin social X se Komisioni Evropian ka marrë kërkesën zyrtare për ndëshkimin e kompanisë.

Sipas Gawkowskit, autoritetet polake dhe ekipet e sigurisë kibernetike e kanë ngritur vazhdimisht këtë shqetësim, por Meta nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme.

Si shembull, ministri përmendi një test të kryer nga CERT Polska, gjatë të cilit kompanisë iu raportuan 122 reklama të identifikuara si mashtruese. Nga këto, Meta nuk hoqi 106 reklama, ose 88.6% të rasteve të raportuara. Vetëm 10 reklama u hoqën, ndërsa për gjashtë raste të tjera nuk pati përgjigje.

Gawkowski e cilësoi rezultatin si “të papranueshëm”, duke theksuar se një situatë e tillë nuk mund të konsiderohet thjesht një gabim i rastësishëm i moderatorëve.

Ministri i bëri thirrje kompanisë që të zbatojë menjëherë mekanizma më efektivë për identifikimin dhe eliminimin e mashtrimeve, reklamave të rreme dhe promovimit të aplikacioneve të paligjshme.

Meta, kompania që zotëron Facebook dhe Instagram, po përballet ndërkohë edhe me një tjetër betejë ligjore në Shtetet e Bashkuara, ku është përballur me akuza lidhur me mënyrën se si platformat e saj ndikojnë te fëmijët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos