Sot Dinamo dhe Egnatia “ëndërrojnë” për fazën e grupeve, sot pritshmëritë e trajnerëve

Nga Dea Kozma
27 Gusht 2026, 14:45 | Futboll

Sot në mbremjë Dinamo dhe Egnatia do të luajnë shanset e tyre në arenën europiane. Llogaritë janë të hapura për të dyja skuadrat pas barazimeve në ndeshjen e parë.

90 minuta larg historisë, rrogozhinasit përballë norvegjezëve të Lilstrome janë besimplotë se mund të bëjne surprizën e madhe. Sipas trajnerit Nevil Dede pritshmëritë nga kjo sfidë janë të mëdha.

“Ndeshja e parë ishte e fortë, me lojën e zhvilluar dhe rastet e krijuara duhej të kishim fituar. Ne do jemi me mbështetje tifozësh, faktor që do na ndihmojë për të luajtur mirë e realizuar objektivin. Çdo gjë do jetë e barabartë dhe ne do luajmë dhe kemi ardhur për të fituar. Dhe besojmë”, tha Dede, shkruan A2.

Dinamo përballet me qipriotët e Pafos. Dueli i parë përfundoi me shifrat 1-1, rezultat që lë të hapur kualifikimin. Tekniku Ilir Daja dhe kapiteni Bruno Dita tregojnë se asgjë nuk është e pamundur. 

“Ndeshja e parë ka qenë e barabartë, gjë të cilën e tregoi dhe rezultati. Kur luan me një ekip si Pafos, duhet të jesh efikas në finalizim. E dimë se çfarë loje na pret, me Pafosin që është një skuadër më e fortë në fushën e tyre”, u shpreh Daja.

Ndërsa Dita theksoi: “Për ne është një arritje e madhe që jemi sot këtu për të luajtur play off-in e Conference League për të dytin sezon me radhë. E kishim si objektiv që në fillim të këtij rrugëtimi europian të vinim në këtë moment për të arritur fazën në grupe”.

Pafos-Dinamo dhe Lillestrom-Egnatia do të luhen sot në mbrëmje, prej orës 19:00. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos