
Policia e Lezhës ka vënë në pranga 41-vjeçarin Arben Mhillaj, pasi nuk iu bind urdhrit për ndalim dhe tentoi të largohej me një automjet të blinduar.
Sipas Policisë, Mhillaj ka precedentë penalë dhe rezulton të jetë vëllai i Florin Mhillajt, i shpallur në kërkim për një ngjarje të rëndë të ndodhur në prill 2026 në aksin Balldren-Torovicë., ku mbetën të vrarë çifti i bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentjana Mujeci.
“Në kuadër të operacionit policor “Unaza”, u arrestua shtetasi Arben Mhillaj.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi i arrestuar, Arben Mhillaj, është vëllai i shtetasit në kërkim Florin Mhillaj, 36 vjeç, i dyshuar për ngjarjen e ndodhur më datë 26.04.2026, në rrugën “Balldren-Torovicë”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy personave, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit””, njofton Policia.
Lezhë/Finalizohet operacioni i koduar “Unaza”
Qarkullonte me automjet të blinduar dhe i armatosur, nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe tentoi të largohej, kapet dhe arrestohet 41-vjeçari.
41-vjeçari me precedent penal për kanosje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.
Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, krehri i saj me disa fishekë, si dhe automjeti i blinduar.
Nga strukturat për hetimin e krimeve të DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara për një shtetas që qarkullonte i armatosur, u organizua dhe u finalizua operacioni i koduar “Unaza”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi:
-A. M., 41 vjeç, banues në fshatin Malecaj-Torovicë, Lezhë.
Ky shtetas u lokalizua në fshatin Torovicë, duke qarkulluar me një automjet të blinduar.
Shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi.
Pas disa minutash ndjekjeje, në fshatin Malecaj, u bë e mundur kapja dhe vënia në pranga e 41-vjeçarit.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti i blinduar, 1 armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, dhe krehri i saj me disa fishekë, të cilat drejtuesi i automjetit i hodhi në tokë gjatë ndjekjes nga Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)